Nga Shqipëria / E Diel 27 Shkurt 2022, 17:05

Lufta Rusi-Ukrainë, këto janë pasojat në ekonominë e Shqipërisë

Sulmi i Rusisë në Ukrainë do të ketë pasoja direkte dhe të tërthorta dhe në ekonominë e Shqipërisë. Nëse lufta zgjat dhe sanksionet gjithashtu, Shqipëria do të ndikohet prej saj me furnizimin e mallrave kryesore në vend, bukës dhe naftës, shkruan “Revista Monitor”.

Ajo do ta ndikojë vendin tonë direkt, për shkak të varësisë së furnizimeve me naftë dhe grurë nga Rusia dhe indirekt, me rritjen e çmimeve të mallrave, pasi Ukraina është eksportues kryesor global për lëndë të para për industrinë ushqimore (drithëra, vaj luledielli etj.).

Shqipëria siguron nga tregu rus 47% të nevojave vjetore për grurë dhe nga Ukraina 3.3%, sipas INSTAT. Lufta do të ndikojë edhe në sektorin e turizmit në Shqipëri, pasi ukrainasit përbënin 22% të lëvizjeve me charter drejt Shqipërisë, raporton "Revista Monitor".

Shqipëria, 2,7% të tregtisë me zonat në konflikt

Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit.

Volumi tregtar dominohet nga importet e mallrave prej këtyre dy vendeve. Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore.

Pavarësisht se volumi tregtar në këto vende është i ulët, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia. Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës.

Por varësia indirekte nga tregjet e Ukrainës dhe Rusisë është më e lartë. Ukraina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i drithërave dhe vajit të lulediellit, të cilat grosistët shqiptarë i blejnë të përpunuara nga vende të tjera, kryesisht Italia.

50% e drithërave nga Rusia dhe Ukraina, rezervat vendase mjaftojnë për 45 ditë

Sulmet në Ukrainë ishin dita më e zezë për importuesit e grurit, të cilët e kanë të lidhur biznesin e tyre direkt nga furnizimet ruse. Adi Haxhiymeri, një nga importuesit kryesorë të grurit, tha se konflikti ndërmjet prodhuesve kryesorë të drithërave në botë, Rusisë dhe Ukrainës, do të vërë në vështirësi furnizimet në të gjithë botën.

Të dhënat nga doganat tregojnë se në vitin 2021 u importuan gjithsej 326 mijë tonë drithëra, 50% e të cilave ishin furnizime nga zonat në konflikt. Shqipëria importoi 47% të drithërave nga Rusia në vitin 2021, 36% nga Serbia, 4% nga Franca dhe 3% nga Ukraina. Burimet e importit të drithërave dominohen nga Rusia, Ukraina dhe Serbia në 86% të totalit të nevojës për konsum.

Grosistët pohojnë se rezervat nuk janë të mëdha, pasi një pjesë e tyre u zbrazën për shkak të pandemisë, ndërsa në dy vitet e fundit ka pasur probleme në furnizime nga rënia e prodhimit. 

12% e naftës në Shqipëri, nga Rusia

Rusia është një nga furnitorët më të mëdhenj të botës me drithëra, gaz dhe naftë. Në vitin 2021, vendi ynë importoi 12% të sasive të naftës nga Rusia. Edhe nafta e importuar nga Italia ka origjinë nga Rusia, por thjesht përpunohet në rafineritë e saj. Në vitin 2021, importet e lëndëve djegëse dhe mineraleve (nafta, gazi) arritën në rreth 1 milion tonë, por gati 70% e sasisë dominohet nga nafta.

Importuesit tani nuk janë duke llogaritur çmimin, por janë të shqetësuar për sigurinë e furnizimit. Luigj Aliaj, nga Shoqata e Hidrokarbureve, pohoi se rezervat e sigurisë janë të mjaftueshme për 3 muaj, dhe shtoi se më tej furnizimet do të jenë në varësi të rrjedhës së luftës. Para 15 marsit, sipas tij, çmimi në tregjet ndërkombëtare mund të kalojë 135 USD për fuçi dhe rrjedhimisht, rritjet do të reflektohen edhe në tregjet vendase.

Shqipëria, së fundmi, shkatërroi të vetmen rafineri të përpunimit të naftës në vend, e cila me gjithë problematikën që kishte mund të amortizonte deri diku gjendjen akute nga mungesa e furnizimeve. Nafta e prodhuar dhe e përpunuar në vend, sipas përllogaritjeve më të hershme, plotësonte gati 30% të nevojave të tregut vendas.

Rafineria aktualisht është në proces çmontimi për skrap, ndërsa nafta që nxirret nga nëntoka e vendit po shitet bruto në tregjet e huaja. Aktualisht, një litër naftë në vend ka arritur në nivelin e 192-194 lekëve, por me zhvillimet e fundit, çmimet do të fluturojnë drejt 250 lekëve shumë shpejt, shkruan "Revista Monitor".

Efekte negative në turizëm

Vitin e fundit, pesha e turistëve ukrainas në turizmin vendas ishte rritur. Sipas të dhënave nga TIA, vitin e shkuar, në korrik – gusht fluturuan drejt Rinasit dhe anasjelltas, 38.5 mijë pasagjerë nga Ukraina, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë. Turistët nga Ukraina zunë 22% të lëvizjeve me charter dhe ishin grupi i dytë më i madh pas polakëve.

Shqipëria pritej të ishte një destinacion i rëndësishëm për turistët nga Rusia dhe Ukraina në vitin 2022. Ukrainasit prej disa vitesh kanë zbuluar në tokën shqiptare, me oferta turistike shumë tërheqëse, ndër të cilat natyra shqiptare e pazbuluar përbënte pikën më të fortë.

Besnik Vathi, drejtues i agjencisë turistike ATHS, me përvojë të gjatë në treg, thotë për "Monitor" se kjo luftë mendohet të ketë pasoja katastrofike, në të gjithë tregjet turistike që ukrainasit përbëjnë pjesën më të madhe. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, thotë se, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, efekti negativ nuk qëndron vetëm tek anulimi i prenotimeve, por te skema si funksionojnë.

Çmimet e mallrave do të rriten

Për Rusinë, Ukraina njihet si baza industriale, që prodhon që nga makinat, anijet, helikopterët, armatimi, deri tek impiantet e termocentraleve bërthamore, ndërsa për Europën, Ukraina është furnizuesi kryesor i shportës së ushqimeve.

Vendi nën pushtim është një nga dhjetë prodhuesit kryesorë botërorë të disa kulturave të tilla si gruri dhe misri. Ukraina është prodhuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit, një prodhues i madh global i drithërave dhe sheqerit, dhe lojtar global në tregjet e mishit dhe të qumështit. Është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj të arrorëve, mjaltë natyral, etj.

Pesha e Ukrainës në furnizimin me ushqime të Europës është shumë e lartë. Për këtë arsye, zgjatja e konfliktit do të sjellë vështirësi në tregjet europiane, ose në rastin më të mirë, do të rrisë çmimin e artikujve bazë të shportës, pasi Europa do të përpiqet të gjejë burime të reja furnizimi në kontinente më të largëta dhe kjo do të rrisë koston.

Ato do të reflektohen edhe në Shqipëri, duke qenë se vendi ynë është importues neto i ushqimeve.

Burimi: "Revista Monitor"