Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës tronditi mbarë globin dhe shumë njerëz po ndjejnë stres, ankth dhe frikë. Psikologët thonë se njerëzit po përjetojnë trauma nga imazhet shkatërruese që publikohen nga Ukraina dhe të tjerë ndihen të pasigurtë për atë që do të vijë.
Ky konflikt vjen pas një tjetër traume ndërkombëtare, pandemisë Covid-19. Dy vitet e fundit njerëzit janë përballur me shumë stres, thotë terapistja Chloe Carmichael për CNN. Kur kjo ndodh, trupi juaj rrit adrenalinën, ul gjumin dhe rrit energjinë në mënyrë që të mund të përballoni stresin që ju vjen.
Por kjo nuk mund të zgjasë shumë përndryshe mendja dhe trupi juaj bëhen një bateri e shteruar. Në këtë mënyrë rezervat emocionale janë shumë të ulëta për të përjetuar një periudhë tjetër ankthi.
Çfarë duhet bërë: Lee Chambers, një psikolog në Mbretërinë e Bashkuar thotë se e njëjta mënyrë që ju ndihmoi të kaloni dy vjet të një pandemie mund të jetë pikërisht ajo që mund të përdorni kur jeni dëshmitar i luftës. Shihni se çfarë ka funksionuar për ju gjatë pandemisë për të reduktuar stresin dhe provoni t'i zbatoni ato teknika të heqjes së stresit tani.
Stresi vjen dhe nga pasiguria se çfarë do të vijë më pas.
"Kur zgjohesh me këtë lloj informacioni, reagimi i pritshëm që njerëzit ndiejnë është 'nuk jam vërtet i sigurt se çfarë do të mbajë e ardhmja', tha Chambers.
Çfarë duhet bërë - Mënyra se si ta përballoni këtëmund të varet nga ajo që funksionon për ju. Disa mund ta shmangin këtë çështje, ndërsa të tjerë ndihen të ngushëlluar duke mësuar gjithçka që munden dhe duke marrë një pamje tredimensionale të situatës. Të kuptuarit e ngjarjeve globale mund të jetë një mënyrë produktive për të përballuar pasigurinë, por nëse jeni të mbërthyer pas çdo përditësimi dhe nuk jeni në gjendje të përqendroheni në gjëra të tjera, mund t'ju duhet të vendosni kufizime se sa shpesh dhe sa kohë konsumoni duke lexuar informacione.
Sado që shumë duan të bëjnë diçka për t'i dhënë fund luftës, kjo nuk është një çështje që zgjidhet drejtpërdrejt nga ne. “Kjo ndjenjë e pafuqisë mund t'i bëjë tragjeditë që po i shohim më të vështira për t'u përballuar”, tha Chambers.
Çfarë duhet bërë: "Ankthi shpesh i shërben një qëllimi të shëndetshëm, i cili është të na stimulojë të ndërmarrim një lloj veprimi," tha Carmichael. Kjo mund të nënkuptojë të dhuroni furnizime ose para për organizatat që synojnë të ndihmojnë ata në Ukrainë.
Kujdesi për të tjerët është një ndjenjë e bukur, por gjithashtu mund të bëhet dërrmuese dhe vitet e përjetimit të një pandemie globale mund t'i lënë njerëzit në një gjendje lodhjeje e dhembshurie.
Është e rëndësishme të shkëputemi nga tema herë pas here. Shihni një film, lexoni një libër ose bëni diçka që ju pëlqen, thotë Carmichael. Është thelbësore të përfshiheni në përvojat e njerëzve të tjerë, por gjithashtu është e nevojshme të rimbushni baterinë tuaj.
Për shumë njerëz, dhimbja e qytetit tuaj duke u pushtuar nuk është një imagjinatë, por e vërtetë. Veçanërisht për njerëzit që kanë qenë pjesë e sulmeve të tilla.
Flisni me të tjerët për atë që po kaloni. “Tani më shumë se kurrë, njerëzit e prekur nga konflikti kanë nevojë për mbështetjen e njëri-tjetrit”, thotë Chambers.
Jini të vetëdijshëm për shenjat fizike që ndodhin tek ju, si ndryshimet në oreks, problemet me stomakun, pagjumësia, tensioni i muskujve dhe nervozizmi. Mos kini frikë të bëni aktivitete, të bisedoni me njerëz të besuar dhe të angazhoheni me pasionet tuaja, thonë psikologët. Pasi të keni filluar të përballeni me reagimet tuaja, atëherë mund të filloni të ndihmoni të tjerët.
Burimi: CNN
