Nga Shqipëria / E Premte 25 Shkurt 2022, 19:07

Lufta në Ukrainë/ Rama: Shqipëria s’ka shumë varësi ekonomike nga Rusia

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur konferencë për shtyp për situatën në Ukrainë. Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka varësi të konsiderueshme ekonomike apo tregtare me Rusinë por nuk është tërësisht pa lidhje të kësaj natyre.

“Është një situatë tragjike por nga ana tjetër është zhvillim që ka sfiduar arkitekturën e sigurisë në Europë dhe ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare duke goditur themeli e saj. Të drejtë ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar. Sot në Samit është kurorëzuar një punë dhe komunikim intensive. Sekretari i Përgjithshëm i ka bërë me dije detajet e samitit. M’u duk e udhës të mbanim këtë konferencë për të folur për implikimet e kësaj lufte mbi Shqipërinë që ndryshe nga shumë vendet e tjera të NATO, varësira të konsiderueshme ekonomike apo tregtare me Rusinë. Por nuk është krejt pa lidhje të kësaj natyre, qoftë me Rusinë apo edhe Ukrainën që urojmë dhe shpresojmë që të kthehet në normalitet por faktikisht është shumë larg sot nga normaliteti.

Sot është më e qartë se dje ajo që ka filluar të ndjehet muaj më parë me krizën e çmimeve të energjisë, me rritjen eksponenciale të çmimeve të gazit në bursat ndërkombëtare apo me rritjen e shpejtë të çmimit të naftës gjë që i ka pararendur këtij momenti si erë drithëruese në shpinën e shteteve. Ka një valë inflacioni të shoqëruar me rritjen e çmimeve në tërësi si pasojë e rikthimit të ekonomisë pas mbylljes dhe shtrëngimit të madh nga pandemia. Ne jemi i vetmi vend apo me ndonjë përjashtim, që nuk e kemi prekur çmimin e energjisë”, tha Rama.