Nga Shqipëria / E Martë 21 Nëntor 2017, 16:04

Shpërthen Sidrit Bejleri i quan ‘Çapaçulë’ artistët që nuk morën pjesë në homazhet për Aleksandër Lalon

Edhe pse postimet nga ana e vipave ishin të shumta për vdekjen e Aleksandër Lalos, mesa duket jo shumë prej tyre kanë marrë pjesë në homazhet e zhvilluara për të nga ana e RTSH - së. Për këtë gjë nuk ka mundur pa reaguar dhe këngëtari i njohur i muzikës shqiptare i cili është shprehur i indinjuar, duke shpërthyer me anë të një statusi në facebook ku i ka quajtur ata “yjet” e “showbizzit” shqiptar “Çapaçulë”.

 

Sipas tij ky status i dedikohej atyre të cilët rendin kush e kush të shkojë sa më shpejt në “dasmat vip” dhe për ata që pretendojnë se bëjnë 'muzikë' dhe 'art'.

 

“Sot në drekë, tek po prisnim të përcillnim trupin e të ndjerit, mjeshtrit Aleksandër Lalo, vura re me keqardhje, por nuk u surprizova, se mungonin shumë “yje” të “showbizit” shqiptar. Nuk e kam për ata që e kishin të pamundur të vinin nga largësia dhe varet sa e njihnin. E kam për ata që rendin kush e kush të shkojë sa më shpejt në “dasmat vip”, ftuar e pa ftuar...
E kam për ata që pretendojnë se po bëjnë “muzikë” dhe “art” në këto kohë të “arta të muzikës”. 

E kam për “çapaçulët” që nuk dinë dhe s’kanë për ta kuptuar kurrë sa vlerë dhe peshë ka për t’u bërë Arti i Vërtetë.  Mjeshtrat po ikin një nga një dhe vështirë të zëvendësohen e për më tepër Arti që na dhuruan. E di që kohët ndryshojnë, por të zezës nuk i them dot e bardhë.

E kam sërish me “çapaçulët”

Kush nuk respekton rrënjët dhe baballarët e vet nuk i mbetet gjë pas, e vërtetuar kjo. Si të hash “plehra” po “plehra” do prodhosh.

Kam mllef, po po, kam mllef sepse e di mirë çfarë arti na dhuruan Kujtim Laro e Aleksandër Lalo me shokë.

Se “çapaçulët” janë bërë të pasur dhe harrojnë se baballarët ikën të varfër, por pasurinë e lanë prapa.

...dhe “çapaçulët” vazhdojnë të qelbin ajrin dhe realitetin që me aq mund e sakrifica na e lanë të pastër baballarët tanë...
TURP!!!

Kujt t’i djegë le ta mbajë!” është shprehur Bejleri.