Nga Shqipëria / E Martë 21 Nëntor 2017, 12:12

Një vit pas ndarjes nga jeta të Ergi Dinit, e motra dhe e ëma emocionojnë me këto fjalë prekëse

Sot u bë një vit nga ndarja nga jeta e këngëtarit 22 vjeçar Ergi Dini dhe shokut të tij Kejdi Halili, të cilët  në 21 nëntor të vitit të kaluar si pasojë e një aksidenti me motorr ndërruan jetë në moshë shumë të re.

Një vit pas vdekjes së tij, ka qenë motra e tij këngëtarja Barbana Dini ajo e cila e ka kujtuar  me anë të një statusi në Facebook ku  nuk ka harruar pa përmendur dhe të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira.

“Miq e dashamirës!

U bë një vit qe Ylli im,Ergi,ju bashkua yjeve të tjerë,në qiell!

U bë një vit,që zemra ime rreh edhe për Të.

U bë një vit që stuhitë e dhembjes së shpirtit,më rrëzojnë.Por ne çdo çast të vështirë,kam ndjerë një dorë që shtrihej, për të më ngritur.

Ajo dorë, jeni ju, miq dhe dashamirës.

Mirësinë tuaj e kam ndjerë në çdo çast.

Jam lutur dhe vazhdoj te lutem edhe per ju. Lumturia qoftë përherë në vatrat tuaja!Jeni te çmuar për mua!” është shprehur ajo.

Së bashku ke këto fjalë ajo ka shpërndarë edhe një poezi që mamaja e saj ja ka dedikuar  të birit të ndjerë.

PER TIM BIR.

Mendja m'u thinj nga nata

Shpirti m'u këput,ra nga vjeshta,

Krahët m'i shqeu shtërngata

dhe zërin ma mbyti heshtja.

Trupi m'u ça nga dhembja

dhe dhembja uluriti prej mallit,

Zemra fluturoi nga brenda

dhe mori fytyrën e DJALIT.

(Mimoza Dini)