Nga Shqipëria / E Diel 20 Shkurt 2022, 15:03

'Kam pasur ankth të theksuar', Mozziku hap zemrën si kurrë më parë

Reperi i njohur Mozzik ka hapur zemrën për emisionin “Oxygen Talk”. Ai ka rrëfyer se më herët ka vuajtur nga ankthi i theksuar dhe se ka qenë një periudhë shumë e vështirë për të.

Mozzik ka treguar se kurimi i tij ka qenë ndihma e mjekut dhe përkrahja e familjes. Mes të tjerash, reperi ka dhënë dhe një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë njerëzit që vuajnë nga ankthi.

“Unë jam Gramoz Aliu, 26 vjeçar. Tema që do të ndaj sot me ju është ankthi. Edhe unë dikur si i ri që 20 deri 25 vjeçar kam qenë i prekur në një masë shumë të madhe, kam pasur ankth të theksuar. E di që rinia është shumë e prekur prej ankthit. E di që është shumë shqetësuese të jesh 21 vjeç dhe të marrësh qetësues e ilaçe për të fjetur gjumë.

E hidhur është ta hapësh si temë me njerëzit, shoqërinë, njerëzit e afërt sepse ke frikë, sepse akoma nuk ka hapsirë për të folur me diçka që ka lidhje me shëndetin mendor.

E hidhur është të kesh frikë ta ndash me familjen. Por mbi të gjitha me ndihmën e tyre e të mjekëve të mirë unë i kam kaluar këto sfida. Por ankthi të përcjell deri në fund të jetës, nuk ka kurim. Ankthi është pjesë e jetës.

Dua të jap si një mesazh apo si këshillë që mos të mendoni se gjërat e vetme që ju ndihmojnë për mos të patur ankth janë ilaçet apo barnat e mjekëve. Mjeku është gjithmonë pro, por këshillat e familjes, të kalosh kohë me familjen është mënyra më e mirë për ta kaluar.

Dua të përqafoj çdo njeri që është me ankth kudo që janë dhe ju them të mos trishtohemi sepse nuk keni depresion. Ankthi nuk është sëmundje, është çrregullim emocional që do të kalojë dhe do të qeshni shumë shpejt", është shprehur ai.