Për ditën e Shën Valentinit 2022, duket se shqiptarët do t’i kushtojnë më pak para dhuratave të shtrenjta, duke u fokusuar në shkëmbimin e përvojave romantike dhe shkëmbimin e dhuratave si udhëtime apo një darkë jashtë.

Sipas hulumtimeve të ndryshme në biznese në kryeqytet, përqendrimi i kërkesave këtë vit duket se është te lulet dhe restoranti.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e luleve janë rritur vit pas viti, duke kulmuar në shkurt, mars (për festën e 8 marsit) dhe në verë, kur është periudhë dasmash. Rekordin, lulet e importuara e shënuan në 2021-n, duke u rritur me 30.2 % me bazë vjetore. Vitin e shkuar ato arritën në 1’19 mld lekë, duke përmirësuar situatën e krijuar nga nisja e pandemisë në 2020.

Oferta të shumta nisën të “bombardojnë” rrjetet sociale por edhe reklamat në televizione të ndryshme, për formën se si një çift duhet ta kalojë Ditën e Shën Valentinit. Përveç një vakti në një restorant, paketat këtë vit ofronin edhe muzikë live të personalizuar në tavolinë apo edhe fjetjen në rastin e një hoteli ose resorti, duke bërë atraktive këtë formë kalimi të festës, që në 2020 mungoi.

Edhe për Shën Valentin, udhëtimet kanë qenë të kërkuara. Ka pasur oferta nga agjenci të ndryshme në vend dhe kërkesat kanë qenë të fokusuara kryesisht në destinacione të afërta, perfektë për një shkëputje fundjave. Rajoni është preferuar shumë, duke marrë në konsideratë prenotimet paraprake nga të dhënat e tre agjencive në kryeqytet. Gjithashtu, kërkesat për Parisin, Barcelonën, Stambollin kanë qenë të larta.
Burimi: Monitor



