Nga Shqipëria / E Hënë 20 Nëntor 2017, 12:12

Ndarja nga jeta e Maestro Lalos, mesazhet prekëse të VIP-ave

Kultura shqiptare pësoi një goditje mbrëmjen e djeshme kur u nda nga jeta kompozitori i njohur i muzikës shqiptare Aleksandër Lalo, i cili vdiq në moshën 68-vjeçare, pas një arresti kardiak.

Lajmin e ka  dhënë televizioni Klan i cili në ato moment po transmetonte emisionin “C’este la vie’, ku profesor Lalo ishte pjesë e jurisë.

Aleksadnër Lalo  ishte një nga kompozitorët më të njohur në Shqipëri dhe do kujtohet për krijimin e disa prej melodive të filmave shqiptar si Tingujt e harresës (1996) ,Historiani dhe kameleoni (1989), Treni niset më shtatë pa pesë (1988), Dy herë mat (1986) e shumë të tjerë.

Kjo humbje ka qenë e papritur dhe për disa nga personazhet e njohur në Shqipëri, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e një njeriu kaq të rëndësishëm në kulturën e vendit tonë.

 E para që ka reaguar ka qenë moderatorja e emisionit ‘C’este la vie’ Marina Vjollca e cila ka bashkëpunuar me të së fundmi, në një postim nga ana e saj ajo ka shprehur keqardhje për humbjen e tij.

“Miq të dashur, me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta të Maestro Lalos pas një ataku në zemër. Maestro i madh u nda nga jeta duke lënë një boshllëk të madh tek unë dhe i gjithë stafi i ‘C’es la vie’. Ky emision dhe të tjetër në vijim janë homazhi ynë për njeriun e papërsëritshëm të muzikës shqiptare. U prehtë në Paqe! Ngushëllimet më të sinqerta familjes!”

Një tjetër personazh i cili ka reaguar pas lajmit ka qenë edhe moderator dhe këngëtari  Ardit Gjebrea,  i cili e ka nisur postimin e tij me një rënkim për një humbje kaq të madhe.

“Ehh..çfarë kompozitori humbëm sot…dhe sa shpejt…Paqe për ty i dashur dhe mirënjohje për muzikën që  na dhurove”.

Nuk ka munguar as ngushëllimi nga ana e këngëtareve Aurela Gace dhe Juliana Pasha të cilat gjithashtu janë shprehur të pikëlluara pas këtij lajmi të trishtë.

“Ke lënë pas një pasuri aq të vyer. Thesar i vërtetë. Gjenial dhe kaq i vërtet” është shprehur Aurela Gace.

Ndërsa Juliana Pasha e shoqëron postimin e saj me këto fjalë “Veprat e një mjeshtri nuk humbasin kurrë. I përjetshëm kujtimi yt!”