Nga Shqipëria / E Shtunë 18 Nëntor 2017, 19:07

Rrëfimi i Granit Xhakës për 'The Guardian': Babai im ishte një kosovar krenar që luftoi për të drejtat themelore demokratike

Futbollisti i njohur me origjinë shqiptare Granit Xhaka së fundmi ka qenë pjesë e një interviste për prestigjiozen ‘The Guardian’,  ku ai ka rrëfyer historinë e vështirë të familjes së tij dhe luftës në Kosovë.
 
“Kjo është historia që ka formuar Granit Xhaka dhe ka ushqyer zjarret që tërbohen brenda tij. Detajet janë të egra, mezi të kuptueshme, dhe është çudi që mesfushori i Arsenalit mund t'i artikulojë ato” e fillon shkrimin e saj ‘The Guardian’ ku mes kujtimeve të babait të tij ai kujton më kryesoren, burgosjen e tij për tre vjet si një i burgosur politik në Jugosllavi.

"Me sa di unë, muajt e parë të tij në burg ishin në rregull, por pastaj filluan rrahjet." është shprehur mesfushori.
 
Sipas Granitit arsyeja e burgimit së të atit Ragip ishin për arsyen se ai kishte marrë pjesë në demonstratat kundër qeverisë qendrore komuniste në Beograd në vitin 1986,  kur ai ishte një student 22 vjeç në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, e cila në atë kohë  ishte një krahinë autonome në Jugosllavi.

"Si djalë i tij, kjo histori është diçka që më prek shumë thellë është me të vërtetë e dhimbshme , dhe gjithmonë do jetë në zemrën time. Ai ishte një kosovar krenar dhe mendonte se ata kishin të drejta si gjithë popujt e tjerë . Ai ishte duke luftuar  për të drejtat e tyre dhe ishin të drejta themelore demokratike, siç janë mundësia për të votuar. Nuk ishte vetëm ai. Kishin arrestuar  edhe të tjerë, përfshirë edhe xhaxhain e tij, i cili ishte burgosur disa vite më parë. Ai mori 15 vjet dënim  me burgim “ është shprehur Xhaka.

Përveç të tjerash Graniti ka treguar se si kjo histori ka ndikuar  tek ai duke shtuar se kush do që të kuptojë Xhakën duhet së pari të kuptojë familjen e tij; se si ata kanë vuajtur, se si ata kanë punuar pa u lodhur për të kapërcyer vështirësitë.

Shkrimi më tej vazhdon me përshkrimin e historisë së Granitit që nga largimi i prindërve të  tij në vitet ‘90 nga Kosova e deri tek  personi dhe futbollisti i talentuar që është ai sot.
 
“Prindërit e Xhakas e dinin se kishin nevojë për një fillim të ri dhe, në vitin 1990, ata emigruan në Zvicër. Djali i tyre i parë, Taulant, do të lindte në Basel në vitin 1991, dhe Granitin pas 18 muajsh. Taulanti është tani mesfushori kryesor për Baselin zviceran, ndersa Graniti është duke ndërtuar një karrierë të shkëlqyer në skuadrën e Aksenalit” shkruan më tej ‘The Guardian’.