Fjolla Morina dhe Fisnik Syla u martuan vitin e kaluar në Maldive. Një vit pas dasmës së bujshme kundrejt çiftit kanë shpërthyer akuza nga agjencia turistike që i ka çuar atje. Sipas agjencisë, dyshja kanë një borxh prej 20 mijë eurosh ndaj kompanisë sepse nuk kanë paguar çmimin e udhëtimit.

Pronari i kompanisë ka treguar se në momentin që duhet të paguante, Fisniku i ka dërguar një transaksion bankar që ka rezultuar i falsifikuar.
Së fundmi, Fisniku ka reaguar për herë të parë duke treguar versionin e tij të ngjarjes. Ai e ka quajtur çdo gjë gënjeshtër dhe shantazh të hapur. “Historia në fjalë është tërësisht e pavërtetë. Ky është një shtantazh i hapur. Mua më kanë marrë në telefon për të më kërkuar kinse sqarime pak orë para se emisioni në fjalë të fillonte, pa më lënë kohën të shpjegohesha. Dhe kanë shkelur ligjin duke incizuar bisedën time, pa më lajmëruar paraprakisht se biseda po incizohet. Mu për këtë arsye, unë kam angazhuar dy avokatë në Belgjikë dhe një në Kosovë që të merret me këtë çështje dhe do t’i padisë për shpifje personat në fjalë”, është shprehur ai në një intervistë për “Telegrafi”.

Më tej ai ka shtuar se e ka bërë pagesën në formë cash.
"Unë e kam kryer pagesën prej 20 mijë eurosh në formën cash. Ia kam dhënë paratë në dorë, pasi nuk kam pasur kohë të merrem me çështje bankare, pasi më është dashur të vrapoj pas Fjollës, pasi e dijmë të gjithë çfarë problemesh ka pasur ajo në atë kohë [koha kur këngëtarja ishte shpallur në kërkim nga autoritet lidhur me arrestimin në kufirin Kosovë-Shqipëri]. Kështu për të më shantazhuar dhe kërkuar më tepër para, personi në fjalë [i referohet pronarit të agjencisë], ka gjetur mënyrën për të më kërkuar ‘borxhin’, i cili në fakt nuk ekziston”, ka thënë Fisniku.
Për të vërtetuar fjalët e tij, ai ka nxjerrë për “Telegrafin” një video ku tregon të gjitha paratë në llogarinë e tij bankare, 500 mijë euro. Me këtë video Fisniku dëshmon se ka mjaftueshëm sa për të paguar borxhin, që sipas tij nuk ekziston.







