Nga Shqipëria / E Martë 7 Nëntor 2017, 15:03

Arti shqiptar në zi: Ndahet nga jeta shkrimtari i famshëm

Është ndarë nga jeta autori i “Stina e stinëve”, shkrimtari i famshëm shqiptar, Kasëm Trebeshina. Shkrimtari është shuar në moshën 91-vjeçare në Ankara të Turqisë, në shtëpinë e së bijës. Pa shumë bujë, trupi i Trebeshinës është sjellë ditën e sotme në Tiranë, ku dhe është përcjellë për në banesën e fundit në orën 14:00.

Kasëm Trebeshina u lind në Berat më 8 gusht 1926. Ai studioi në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu studimet në vitin 1942, pasi u bë pjesë e luftës Nacionalçlirimtare. Ai gjithashtu ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit, për t’ju përkushtuar tërësisht letërsisë.

Trebeshina ka kundërshtuar me forcë politikën moniste të Enver Hoxhës, kreut të Partisë së Punës ku bënte pjesë edhe vetë. Ai kundërshtoi veçanërisht orientimin që po i jepej letërsisë dhe arteve në kohn e komunizmit. Për këtë çështje, Kasëm Trebeshina u burgos. Ai u bë veçanërisht i famshëm për letrën “Promemorje” që i drejtoi Enver Hoxhës, e shkruar më 5 tetor 1953 dhe e botuar pas rënies së komunizmit, ku Trebeshina denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe censurës në art.

Shumica e veprave të tij janë botuar në Prishtinë në fillim  të viteve ’90. Ndër veprat më t njohura të tij janë “Stina e Stinëve”, “Mekami, melodi turke”, “Shtigjet e shekujve”, “Historia e atyre që s’janë”, etj. Disa dorëshkrime të tjera të tij vijojnë të jenë të pabotuara. Burimi: Panorama