Nga Shqipëria / E Enjte 6 Janar 2022, 12:12

Ambasadori i Serbisë habit të gjithë, quan Dua Lipën bashkëkombëse të tij

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, gjatë një përplasje virtuale me ish-ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i ka habitur të gjithë duke e quajtur këngëtaren kosovare me famë botërore, Dua Lipën, bashkëkombëse të tij.

“Duke lënë komentet urrejtëse anash, jam shumë krenar për bashkëkombësen tonë të dashur Dua Lipa (flamur i Serbisë) edhe pse ajo mund të mendojë ndryshe për çështjet politike”, ka shkruar Gjuriq në llogarinë e tij në Twitter.

Gjithçka filloi pasi Çitaku shpërndau një lajm për tenistin serb, Novak Gjokov, në mbishkrimin e së cilit shënoi “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se tjerat” — shprehje e njohur nga libri “Ferma e Kafshëve” nga George Orwell.

Çitaku la të kuptohet se Gjokoviq po favorizohet nga organizatorët e turneut, pasi u vendos që të garojë pa qenë i vaksinuar, në dallim nga lojtarët e tjerë. Gjuriq i reagoi Çitakut duke thënë se kjo e fundit përdori gjuhë të urrejtjes me motive etnike. Madje sipas tij fjalimi i ish-ambasadores së Kosovës është “çnjerëzor”.