Pak kohë më parë Florjana e "Përputhen" tregoi mes lotësh se të dy prindërit e saj janë memecë dhe ajo nuk e ka dëgjuar kurrë zërin e tyre. (Lexo këtu) Mbrëmjen e sotme ky moment u transmetua në Prime dhe konkurrentja u shpreh:
"Nuk e kisha menduar që do e tregoja ndonjëherë historinë time. Erdhi momentale, nuk e prisja as vetë që do e thoja. Nuk flas shpesh për këtë histori sepse më dhemb shumë. Ka qenë shumë e vështirë të mos dëgjoja zërin e prindërve. Kur dëgjoj shoqet e mia që i thërrasin prindërit, them pse dhe mua nuk më thirr mami ose babi im."
Në këtë moment e ëma e saj u fut në studio me një buqetë me lule. Ajo përqafoi të bijën, takoi Borën dhe të gjithë shpërthyen në duartrokitje. Më tej dyshja treguan historinë e tyre.
"Mami e ka ndjekur programin thjesht nuk e kupton cfarë flasin. Kur i thashe që do shkoj dhe unë tha po shumë mirë se vajte 25 vjec martohu tani", u shpreh Florjana.
Moderatorja Bora Zemani e pyeti se si ndihej e ëma dhe konkurrentja komunikoi me të me shenja.
“E kam bërë me shumë qejf surprizën”, tha ajo me shenja.
Surpriza për Florjanën nuk mbaroi këtu, pasi më pas Ana i solli dy buqeta me lule dhe një letër nga motra dhe vëllai i saj.
"Kur bëhet fjalë për ty motra ime fjalët nuk mjaftojnë. Qëkur ke qenë fëmijë shkoje në punë me babin për të përkthyer fjalët e tij. Ke qenë fëmijë kur na mësove dhe ne si të komunikonim me mamin dhe babin. Ke qenë mbështjetja jonë. Jemi një familje shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Faleminderit që të kemi, je krenaria jonë, të dua shumë", shkruhej në letër.
Në fund Ana zbuloi se ajo dhe Florjana janë mikesha jashtë programit dhe i dedikoi një mesazh: Je një shoqe e mrekullueshme, me fat që të kam!
