Anxhela Peristeri ka ironizuar këngëtarët që dolën kundër vendimit të jurisë së Festivalit të RTSH-së, që shpallën fituese Ronela Hajatin. Në një postim në Instagram, fituesja e Festivalit të Këngës 2020, shkroi se ishte e lumtur që i dorëzoi kupën e çmimit të parë, koleges Ronela Hajati, teksa iu drejtua kritikëve duke thënë se “vetëm kur fitojnë ata, s’ka korrupsion në festivale”.

“U ndjeva shumë e lumtur dje që i dorëzova kupën e Çmimit të Parë kësaj artisteje me shpirt të bukur! Jam e bindur që rrugëtimi i saj në Eurovision do të jetë magjik! Ishte një çmim më se i merituar dhe kam një pyetje për të gjithë ata këngëtarë që sot kanë dalë me shpatë në dorë dhe shajnë festivalin dhe jurinë: “Kur fitoni ju, nuk ka korrupsion nëpër festivale? (Se me sa pashë janë të gjithë këngëtarë çmimesh, por këta i kanë marrë me meritë sigurisht) Ronela Hajati vazhdo përpara zemra", shkroi Peristeri.

“Sekret” i Ronela Hajatit do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, që këtë vit do të mbahet në Torino të Italisë. Disa kolegë kanë dalë kundër këngës së Ronelës, për shkak të përmbajtjes së tekstit që sipas tyre nuk përcjell asnjë mesazh.

