Sonte në Tv Klan u transmetua episodi i fundit i sezonit të parë të serialit “H.O.T”. Episodi nisi me disa kujtime të Amandës me Danin. Amanda, e zhgënjyer dhe e lënduar nga Dani, donte të bënte vetëvrasje duke u hedhur nga një ndërtesë e lartë. Në skenë doli për herë të parë një personazh i ri (i luajtur nga Besnik Krapi), i cili e shpëtoi. Ai iu prezantua Amandës me emrin Dani, duke e lënë të habitur.

Dani (emri gjatë Dante) ftoi Amandën në një takim, të cilën ajo e pranoi. Gjatë rrugës ai i shpjegoi se vetëvrasja nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur problemet. Dante e përqafoi duke i thënë “Ndjej sikur ke nevojë për mbrojtje”.

Nga ana tjetër, Genti shkoi të merrte kredi për t’u kujdesur për Lorin, duke menduar se ajo ishte shtatzënë me fëmijën e tij.

Më tej, teksa dyshja bisedonin rreth foshnjës, Aleksi i dëgjoi. “Je delirante nëse mendon se mund të më ngecësh mua fëmijën e këtij dështaku”, i tha ai. Lori u përpoq ta bindte se fëmija ishte i tij. Si Aleksi, ashtu dhe Genti i kërkuan ta vërtetonte me një test ADN-je.

E ndodhur në një situatë të komplikuar, Lili filloi të kërkonte mënyra për të mbetur shtatzënë.

Një tjetër pjesë kulminante e këtij episodi ishte përballja e Lilit me Alketën. Ajo i kërkoi llogari që i shkatërroi familjen dhe i qëlloi me shpullë. Po ashtu, Lili ia bëri të qartë se e di që ajo ka gisht në burgosjen e Danit.

Danin e vizitoi në burg Xheni, të cilën ai e largoi duke i thënë “Ti meriton dikë që nuk të do për trupin, po për atë që ti je”.

Xheni u largua e mërzitur, ndërsa Dani u lajmërua se dikush kishte paguar për të lirimin me kusht. Ai mendoi se këtë e kishte bërë Amanda.

Rrugës për të vizituar Danin ishin Shpëtimi, Pali dhe Lili, të cilët panë Xhenin kur po dilte nga burgu. Shpëtimi u habit dhe kërkoi të dinte pse e dashura e tij kishte takuar Danin. Në këtë moment Dani doli nga burgu, i cili teksa i pa të gjithë jashtë, mendoi se ata i kishin paguar lirimin me kusht.

Si për çudinë e Danit, një makinë ndaloi aty pranë. Në makinë ndodhej mamaja e tij Kristina, të cilën ai e kishte pritur për 30 vite.
Episodi u mbyll pikërisht në këtë moment kulminant, me fytyrat e habitura të Danit, Palit, Shpëtimit, Lilit dhe Xhenit, për të vazhduar në sezonin e dytë.





