Nga Shqipëria / E Enjte 23 Dhjetor 2021, 13:01

Publikimi i listës me rrogat e shqiptarëve/ Rama: Do hetohet imtësisht, duan të nxisin destabilitet

Një skandal ndodhi ditën e djeshme me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Në Whatsapp u shpërnda një listë e personave të punësuar në sektorin privat dhe publik, shoqëruar me kartat e tyre të identitetit, pozicionin e punës dhe rrogën.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot gjatë një komunikimi për mediat. Ai e ka nisur deklaratën e tij me një ndjesë kushtuar të gjithë qytetarëve të prekur. Rama është shprehur se sipas tij, kjo ngjarje ka si qëllim të krijojë konfuzion dhe të nxisë destabilitet. 

“Dua t’i kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe dua ta nënvizoj qysh në fillim që kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. Uroj, shpresoj dhe bëj thirrje prokurorisë që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre dhe nga ana tjetër dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar, për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para dhe duke pasur parasysh edhe deklaratat e bëra nga foltoret e Kuvendeve dhe antiKuvendeve mund të mos jetë e fundit, prandaj thirrja ime për organet ligjzbatuese, prokurorinë është që të hetojë imtësisht duke kërkuar që të përgjigjen jo vetëm të gjithë pa përjashtim inspektorët e tatimeve të cilët kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës, ata që aktualisht punojnë në këtë sistem, apo të tjerë që mund të jenë larguar ndërkohë nga ky sistem, në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri sot por edhe ata që nga foltoret e Kuvendeve të Antikuvendeve paralajmërojnë zymtia të tjera. Së dyti dua të sqaroj se këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje, e cila duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj, por nga analizat paraprake ngjan shumë më tepër si një ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm dhe jo nga infiltrimi i jashtëm në formën e një sulmi kibernetik. Nuk jemi as të parët, as të fundit. Nëse i referoheni vetëm periudhës së fundit kohore, le të themi viteve 2019-2020-2021 ngjarje të tilla kanë ndodhur në vende shumë të forta me mbrojtjet më të larta ndaj sulmeve kibernetike”, ka deklaruar kryeministri.