Një skandal ka ndodhur ditën e sotme me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Në Whatsapp po shpërndahet një listë e qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, shoqëruar me kartat e tyre të identitetit, pozicionin e punës dhe rrogën.
Nuk dihet ende se cili është burimi i daljes së kësaj liste, të cilin “Opinion.al” e posedon, por nuk e publikon në ruajtje të privatësisë së qytetarëve të punësuar.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga. Ai ka theksuar se lista nuk ka dalë nga Ministria e Financave, pasi aty ka të dhëna që nuk janë në dokumentin zyrtar.
Fuga ka shtuar se Ministria e Financave po bën gati një denoncim zyrtar, për të zbardhur këtë çështje.
"Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.
Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar ai.
