Liderët europianë po rivendosin kufizimet anti-COVID pasi varianti i ri i COVID “Omicron” vazhdon të përhapet me shpejtësi, Kombet, përfshirë Gjermanin dhe Portugalinë, kanë njoftuar kufizime pas Krishtlindjeve dhe masa të mëdha për distancimin social.
Gjermania njoftoi se duke filluar nga 28 dhjetori nuk do të lejohen grumbullimi i më shumë se 10 vetave dhe se klubet e natës do të mbyllen. Ndeshjet e futbollit, nga ajo datë, do të luhen pa tifozë.
Portugalia ka urdhëruar mbylljen e bareve dhe klubeve të natës nga 26 dhjetori. Sakaq duke filluar nga 9 janari të gjithë do të punojnë nga shtëpia.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Boris Johnson ka përjashtuar çdo kufizim të ri për Anglinë përpara Krishtlindjeve, por Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut kanë njoftuar të gjitha kufizime.
Në Suedi, baret, kafenetë dhe restorantet do të mund t’u shërbejnë klientëve të ulur vetëm nga e mërkura, dhe njerëzve iu është kërkuar të punojnë nga shtëpia, nëse është e mundur.
Holanda ka sjellë tashmë kufizime më të forta, duke njoftuar një bllokim të rreptë të hënën, por korrespondenti i BBC Europe Nick Beake thotë se liderët e tjerë evropianë duan të shtyjnë kontrolle më të forta deri pas periudhës festive nëse është e mundur.
BBC shkruan se, Omicron është tashmë varianti më dominues në shumë vende europiane dhe rritja e rasteve mund t’i çojë sistemet shëndetësore në kolaps. Kështu ka paralajmëruar edhe zyrtari i lartë i OBSH-së në Europë, Hans Kluge. Kluge ka thënë se një tjetër “stuhi” po vinte dhe qeveritë duhet të përgatiten për një rritje të konsiderueshme të rasteve.
