Mbrëmjen e sotme u transmetua në TV Klan episodi 9 i serialit "H.O.T" që tashmë çdo të diel na mban mbërthyer para ekranit me ngjarje të reja, me çdo episod edhe më shokues e me të papritura.

Episodi sot nisi me Amandën, e cila pasi mësoi se Dani ende dashuron Norën, shkoi në shtëpi duke qarë dhe zbrazi dhimbjen duke pirë alkool. Pranë në këtë moment të vështirë iu gjend i ati.

Danit nga ana tjetër iu bashkuan në qeli edhe 3 Llaqet. Të katërt kaluan situata shumë komike.

Nora shkon të vizitojë Danin në burg dhe ky i fundit zhgënjehet pasi ajo nuk e beson që ai nuk ka faj. I prekur, Dani e quan manipuluese Norën dhe i thotë se për faj të saj humbi një vajzë si Amanda.

Alketa dhe Aleksi përfundojnë në shtrat bashkë dhe thurin planin e rradhës, të lumtur që Danin e futën në kurth.

Genti vazhdon të kujdeset për Lorin duke menduar se ajo po mban në bark fëmijën e tij ndërsa ajo vazhdon të shfrytëzojë situatën. Megjithatë Lori duhet të përballet edhe me zemërimin e Aleksit, i cili i kërkon të abortojë.

Shpëtimi u tregon Palit dhe Lilit për çfarë akuzohet Dani, por ata nuk e besojnë aspak. Kur Lili mëson se Shpëtimi punon me Alketën, e përball të birin me një të vërtetë tronditëse: Alketa ka qenë dashnorja e babait të tij.

Me të mësuar këtë, Lili, Pali dhe Shpëtimi nisin të dyshojnë se Alketa e ka futur Danin në kurth.

Amanda në një gjendje të rënduar psikologjike tenton vetëvrasjen.

Ç'do ndodhë me të? A do të mund të vërtetohet pafajësia e Danit? Na mbetet ta mësojmë në episodin e fundit të këtij sezoni të "H.O.T" që vjen me skenariste Klaudia Brahimajn, regjisor Bjordi Mezinin dhe producentë Ermal Mamaqin e Dritan Huqin.

