Nga Shqipëria / E Shtunë 28 Tetor 2017, 20:08

A është Tirana qyteti më 'cool' në Europë? Ja çfarë mendon media spanjolle.

Tirana edhe një herë ka zënë faqet kryesore të mediave më të njohura ndërkombëtare. Pas prestigjiozeve “Vogue”, “Hollywood World Magazine”, “Vanity Fair”, “Gioia” apo “Gambero Rosso” edhe spanjollja “Condè Nast Traveler”, i ka kushtuar kryeqytetit shqiptar një artikull të veçantë, ku nuk nguron ta cilësojë Tiranën një ndër qytetet më “cool” të Europës. Pasi të lexoni artikullin nga media spanjolle, do të gjeni në vijimësi dhe një përmbledhje të artikullit të Vogue për Tiranën. Mos i humbisni!

Condè Nast Traveler / Pjesë nga artikulli

Për titullin “qyteti më “cool” i Europës” ka shumë pretendentë seriozë. Barcelona, Brukseli, Birminghami. Por, të gjitha këto duhet t’ia lënë vendin një tjetër kryeqyteti në listë, Tiranës.

A jemi vërtet në qytetin më “cool” të Europës?

Të duket e çuditshme? Atëherë tregohu i vëmendshëm! Tirana është jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë; është gjithashtu qendra e saj nevralgjike, aty ku e kaluara, e tashmja dhe kryesisht e ardhmja e këtij kombi që po rilind, përplasen në një vorbull historie, trafiku dhe arti.

Pas zgjimit në vitet ’90 nga thundra e një diktature komuniste, Tirana u shndërrua në një qytet që sot tregohet krahëhapur për ata që e vizitojnë. Mes relikeve otomane, italiane dhe politike, Tirana vjen si një copëz bulevardesh, rrethuar nga minare, murale socialiste dhe vepra arkitektonike që ngjallin kureshtje dhe që nuk do i gjesh në asnjë vend tjetër.

Magjia e veçantë e saj merr përmasa edhe më të mëdha në çdo perëndim dielli, me zhurmimin e shëtitjes së mbrëmjes, në një version shqiptar të “passeggiata-s”, që në ditët e sotme shënjon më tepër fillimin e një nate të paharrueshme, se sa fundin e një dite të zakonshme.

Gjithçka, me veçantinë karakteristike shqiptare, e cila do të të mundësojë të kuptosh se je duke zbuluar një nga sekretet e ruajtura më mirë në Europë.

Gjithçka rrotullohet rreth sheshit “Skënderbej”. Faktori “cool” i Tiranës fokusohet tek lagjja e Bllokut, shumë pranë qendrës së qytetit dhe sheshit “Skënderbej”, ku gjendet TOB-i dhe Galeria Kombëtare. Kjo zonë ishte e rezervuar për elitën politike të Shqipërisë përgjatë dekadave dhe hyrja në të ishte e ndaluar për pjesën tjetër të njerëzve.

Kur ra diktatura, në 1991, Blloku u shfaq për herë të parë para shqiptarëve dhe duke e parë tani, mund të imagjinojmë reagimin e njerëzve.

Me një ndërthurje rrugësh të gjera, vilash dhe hapësirash të gjelbra, Blloku nuk mund t’i largohej shumë stilit arkitektonik tradicional komunist. Me baret, restorantet dhe dyqanet të cilat do të zbehnin edhe 5th Avenue në Nju Jork, Blloku do të të bëjë të pyesësh sërish veten për çdo ide apo përshtypje që mund të kesh krijuar mbi Tiranën.

Dhe duke qenë se përmendëm baret… bëhu gati, sepse Tirana ka bare me shumicë. Ballkani në përgjithësi është një rajon i cili preferon shumë daljet nëpër kafe përgjatë ditës dhe Shqipëria nuk ngelet pas.

Çoko, në një vilë të vjetër të reformuar, në mes të Bllokut, për një moment do të të krijojë përshtypjen sikur je në Paris. Nëse preferon një ambient më autokton, Komiteti të çon detyrimisht përmes dekorit dhe menusë tipike shqiptare, në epokën e regjimit komunist. Të pëlqen tarraca? Shko në Lincoln Garden Café dhe ki kujdes që të mos e kalosh gjithë ditën në kopshtin e tij plot me pemë.

Nëse je i dashuruar pas ushqimit, apo thjesht të pëlqen të hash, që jo gjithçka duhet të ketë një markë, ndoshta ke arritur të pyesësh veten që do gjendesh në Tiranë. Kuzhina tradicionale shqiptare është tipike mesdhetare; shumë peshk, shumë perime. Megjithatë, nëse kërkon diçka me pak më shumë zjarre artificialë gastrononomike, Tirana është vendi më i mirë për ta gjetur.

 

Nëse ke ardhur në Shqipëri për të marrë me vete edhe pak histori, kalo nga Hola Restorant. Ndoshta nuk ke ardhur deri këtu për të ngrënë një “paella” (ose po), por gjithsesi ia vlen si eksperiencë; shefi, Francisco të pret tek dera me një buzëqeshje dhe nëse ia kërkon, do të të tregojë edhe historinë se si u bë finalist në MasterChef Albania. Për të mos u humbur!

Pas darkës, mos kujto se do kthehesh në shtëpi! Është larg ajo kohë kur njerëzit ktheheshin në shtëpi në orën 20.00, ritual i vendosur përgjatë diktaturës. Tirana e sotme jeton natën me po aq shumë dëshirë, sa edhe ditën. Lëvizjet përqendrohen tek Blloku, në rrugën “Ismail Qemali” dhe nuk do e kesh problem të gjesh një lokal që përshtatet me preferencat e tua të ditës.

Ke dëshirë për një gotë në qetësi? Colonial të pret me një menu të pasur koktejlesh, e cila shkon nga varietet e panumërta të rakisë, deri Cosmopolitans manaferre. Nëse ke dëshirë për të shëtitur, Rozafa Club është një arsye për të mos shkuar të flesh deri në mëngjes.

Ke dëshirë për një aktivitet ditor tipik tiranas? Sa i përket artit dhe aktraksioneve kulturore, Tirana ka veçantinë e saj. Duke lënë pas Galerinë Kombëtare dhe TOB, të cilat praktikisht krijojnë ofertën artistike tradicionale të kryeqytetit, ajo çka do të gjesh në Tiranë sa i përket ekspozitave artistike, nuk ngjan me asgjë që mund të kesh parë më përpara.

Për të filluar, një nga muzetë më të rëndësishëm në Tiranë ndodhet në një bunker bërthamor. Po, e ke lexuar mirë, një bunker!

Në fakt, nëse itenerari yt në Shqipëri të çon përtej kryeqytetit, do të shohësh që peizazhi i vendit është rrethuar me kupola të vogla, në formën e majës së ajsbergut, ekspozime të obsesionit të regjimit të vjetër komunist, ndaj një sulmi hipotetik nuklear në prag.

Edhe në Tiranë, gjenden shumë prej tyre, duke përfshirë edhe atë ku ndodhet sot “Bunkart 2”, një muze nëntokësor që i dedikohet historisë politike të Shqipërisë, duke përfshirë dëshmi të tmerreve të diktaturës. Nuk është një vizitë e lehtë, por që rekomandohet për të kuptuar më mirë karakterin shqiptar dhe arsyet se përse vendi vazhdon të jetë, në shumë forma, një e panjohur e madhe.

Një tjetër atraksion për të mos u humbur në kryeqytet është Piramida. Nuk ka asgjë të përbashkët me Keopsin apo Teotihuacán; kjo piramidë me një lloj shije futuriste është ndërtuar në 1988 si një muze në nder të diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe që më pas u shndërrua në një qendër konferencash dhe ekspozitash.

Tashmë, e mbushur me graffiti dhe pa ndonjë funksion të veçantë, ka një mision disi ndryshe; një vend i improvizuar për rrëshqitje. Çdo ditë të javës sheh atje fëmijë që ngjiten këmbadorazi përgjatë Piramidës, për të zbritur më pas duke rrëshqitur me kartonë. Mos hezito dhe bashkohu; Ia vlen kjo pamje nga maja e Piramidës!

Por nuk ka pse t’i drejtohesh një vendi në veçanti për të njohur shpirtin krijues të Tiranës. Një shëtitje e thjeshtë përgjatë Bllokut, sheshit Skënderbej dhe rrugëve që e rrethojnë mund të shndërrohej në një rrugëtim artistik. Ngado sheh ndërtesa murale, fasada të mbuluara me ylberë apo mollë të pikturuara në harmoni. 

 

Vogue / Përmbledhje e artikullit për Tiranën

Një nga revistat më prestigjioze në botë në fushën e jetës dhe modës, Vogue, i ka dedikuar një reportazh të gjerë në seksionin e saj për udhëtimet, transformimit total të kryeqytetit shqiptar, Tiranës.

Në këtë artikull theksohet fakti që Tirana, një ish-qytet i mbyllur komunist, tashmë është një qytet krejtësisht i gjallëruar dhe me banorë shumë miqësorë i cili përbën një atraksion të parë shumë të mirë edhe për ata që dëshirojnë të vizitojnë bregdetin e Adriatikut dhe monumentet arkeologjike.

Artikulli i botuar nga Vogue evidenton që në fillim transformimin e madh që ka pësuar Tirana nga kryeqyteti i vendit më të izoluar në botë në një kryeqytet të gjallë dhe plotë jetë.

“… Vibrimi këtu, pozitiv dhe i shkujdesur, është i prekshëm dhe bën jehon në restorante, bare dhe kafene në të gjithë lagjet dhe në të gjithë Tiranën. E çuditshme, kjo ish fortesë e komunizmit është e gjallë dhe e përballueshme, banorët e saj janë të hapur dhe miqësorë. Interesi në vendet e Ballkanit është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, me udhëtarët kuriozë që kërkojnë rregullisht qetësinë e detit Adriatik dhe qytetet mesjetare me mure prej guri si Dubrovniku në Kroaci dhe Kotorri në Mal të Zi. Tirana nuk mishëron një tërheqje të tillë tradicionale, piktoreske. Në vend të kësaj, ajo impresionon si një qendër shpirtërore, urbane me një personalitet të fortë të formuar nga një histori e trazuar. Ashtu si Sarajeva që u zhvendos shumë larg mizorive të viteve 1990 duke evoluar në një kryeqytet të begatë të Europës Lindore, Shqipëria po lë pas dekadat e veta të tmerrit dhe izolimin e saj në të ardhmen…”, thuhet në këtë reportazh.

Autori në reportazhin e vet ndalet edhe në zonën simbol të udhëheqjes së komunizmit e cila sot është kthyer në qendrën e jetës së natës në Tiranë dhe vendi më i preferuar nga të rinjtë.

“… Radio-ja gjendet në një lagje të quajtur Ish-Blloku, i njohur gjithashtu si Blloku. Sot “Blloku” është një vorbull pulsues dhe argëtues, me tarraca të panumërta të jashtme, që përputhen më se miri me mysafirët e veshur mirë. Ajo ka një atmosferë shumë të zjarrtë dhe të relaksuar, e cila të kujton Athinën dhe Palermon. Megjithatë, gjatë viteve komuniste, Blloku ishte jashtë kufijve të cilitdo që nuk ishte anëtar i elitës së partisë…”, shkruan autori.

Më tej në këtë artikull jepet dhe një përshkrim i asaj që përfaqësonte Shqipëria dhe Tirana para 90’ dhe gjithë të këqijat që i solli regjimi diktatorial vendit.

“… Deri në rënien e komunizmit në 1991, rajoni nuk ishte i huaj për socializmin. Por sforcimi i Shqipërisë, nën udhëheqjen e diktatorit stalinist-maoist, mësues i kthyer në diktator Enver Hoxha, ishte veçanërisht i përqendruar dhe shtypës. Hoxha mbizotëroi mbi Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985 dhe ai me sa duket burgosi, torturoi dhe vrau rreth 100,000 qytetarë shqiptarë në këtë proces. Totalisht paranojak, ai urdhëroi ndërtimin e më shumë se 750,000 bunkerëve, me qëllim për të zbutur frikën e tij kronike e pushtimit të jashtëm…”, shkruan Vogue.

Në fakt, paranoja e ish regjimit komunist dhe fortifikimi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë është sipas Vogue një element shumë i rëndësishëm për të kuptuar dhe ndryshimin radikal të Tiranës moderne dhe vibrante që sot është. Autori veçon në reportazhin e tij disa nga pikat më atraktive dhe interesante të Tiranës që mbartin dhe kureshtjen për tu vizituar.

“Përshkrimi në këtë të kaluar të shtrembëruar, është thelbësore për të kuptuar Tiranën e sotme, dhe një pikënisje kryesore është Muzeu Historik Kombëtar në Sheshin Skënderbej, një vend i organizuar kronologjikisht me objekteve arkeologjike. Edhe më i mahnitshëm është Bunk’Art, një prej atyre bunkerëve të fshehtë të luftës bërthamore në skajet e kodrës së Tiranës që është shndërruar në një muze. Këtu, në një labirint galerish, endesh nëpër zyrën e ruajtur të Hoxhës dhe shikon një video hipnotike të varrimit të tij. Në qendër të qytetit është Bunk’Art 2, një përkujtim për viktimat e regjimit të Hoxhës, i mbushur me fotografi dhe dokumente më domethënëse. Është efektivisht i pozicionuar pranë Shtëpisë së Gjetheve. Dikur shtabi i policisë sekrete të Sigurimit të Hoxhës, muzeu i imët ndriçon taktikat interesante të mbikëqyrjes së asaj epoke.

I armatosur me njohuri për trashëgiminë e Shqipërisë, një njeri i mbushur me vdekje, tirani dhe spiunazh, ndoshta bëhet më e qartë se përse Tirana është aq bashkëkohore, njerëzit e saj janë kaq të gëzuar: më në fund jetojnë një jetë të lirë dhe me kreativitet, frymëzuar dhe nxitur edhe nga kombet që iu ishte ndaluar të ndërveprojnë me dekada të tëra. Tirana nuk është ende një parajsë turistike, pavarësisht hijeshisë së saj, por pushuesit po shohin potencialin për të kaluar kohën këtu”, thuhet në artikull.

Një tjetër element që e bënë Tiranën sipas Vogue interesante është edhe gastronomia. “Ushqimi dhe pijet janë elemente jetësore, shoqërore të kulturës së Tiranës. Ushqimi më i shëndetshëm po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për banorët e Tiranës rinore. Në afërsi të Piramidës së Tiranës, një monument komunist i shkatërruar, ata porosisin gota verë në restorantet përreth”, evidenton autori në përpjekjen e tij për të zbuluar Tiranën.

Gjithashtu në këtë reportazh një tjetër element që ka rënë në sy të autorit është edhe popullsia e re dhe roli që luan në jetën e qytetit eksperiencat e suksesshme që vijnë nga shqiptarët që kanë jetuar jashtë vendit, duke transmetuar kështu shoqërisë të gjithë eksperiencat e tyre të emigrimit. Kjo cilësohet si një faktor i rëndësishëm për rigjallërimin e qytetit duke e kthyer atë në një qytet kozmopolit, të denjë për statusin e tij, atraktiv për t’u vizituar.

“Popullsia e qytetit është trefishuar në njëzet vjet, duke përfshirë shqiptarë të cilët dikur emigruan dhe tani u kthyen me njohuri të shkëlqyera të bareve, restoranteve dhe jetës së natës. Kuzhinierët më të mirë dhe baristët erdhën nga qytetet e mëdha evropiane, ku mësuan aftësitë e tyre, të cilat po ushtrojnë dhe u kalojnë me sukses të tjerëve. Së bashku me plazhet e Rivierës Shqiptare dhe pamjet e mrekullueshme natyrore në pjesën jugperëndimore të vendit në detin Jon, Tirana e zhurmshme është një fillim i këndshëm, kozmopolit, për një aventurë bregdetare në Ballkan”, thuhet në këtë reportazh të botuar nga prestigjiozja Vogue.