Ashtu siç skenaristja e serialit "H.O.T", Klaudia Brahimaj kishte paralajmëruar, episodi 8 ishte ndër më të bukurit dhe padyshim pjesa më prekëse ishte momenti kur Amanda mësoi se Dani ende dashuron Norën.

Nëse nuk e ndoqët këtë episod të dielën në TV Klan, ju japim lajmin e mirë se nesër në orën 16:00 do të mund ta ndiqni në Youtube.
Për të marrë njoftimin klikoni "Set Reminder" në videon ku seriali do të transmetohet premierë në kanalin e Ermal Mamaqit në Youtube.

Episodi tetë nisi me darkën e Danit, Amandës, Shpëtimit, Xhenit, Palit e Lilit. Gjatë darkës Xheni nuk ngurroi ta ngacmonte vazhdimisht Danin duke e vendosur në siklet ndërsa Shpëtimi nuk kuptoi asgjë.

Lori pasi bëri 5 teste shtatzënie mësoi se nuk është shtatzënë, por kjo gjë nuk e ndali me planin e saj. Të gjithë rreth saj nisën të sillen sikur ajo është shtatzënë duke i plotësuar tekat e dëshirat, pa e ditur të vërtetën.

Madje Genti mendoi se do të bëhet baba dhe mori përgjegjësinë.

Amanda nga ana tjetër shkoi në shtëpinë e Aleksit teksa ai ndodhej me Alketën duke biseduar planin e tyre. Aleksi fshehu Alketën dhe u përball me zemërimin e Amandës, e cila i tregoi se Lori është shtatzënë dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi.

Pjesa më kulminante e episodit të sotëm ishte kur Nora i kërkoi Danit të bënte një zgjedhje mes saj dhe Amandës. Kjo e fundit dëgjoi gjithçka dhe u përlot kur mësoi se Dani ende e dashuron Norën. "Nuk e di a do vijë ndonjë ditë që unë nuk do kem më ndjenja për ty", i tha Dani Norës teksa Amanda dëgjonte prapa dere me lot në sy.

Në fund Amanda vendosi të dilte përballë tyre duke i treguar Danit se dëgjoi gjithçka. E përlotur ajo u largua me shpejtësi teksa Dani e ndoqi nga pas. Sikur të mos mjaftonin këto, tek dera Danin e prisnin dy policë, të cilët e arrestuan nën akuzën për "vjedhje dhe shpërdorim detyre".







