Mbrëmjen e sotme u transmetua në TV Klan episodi tetë i serialit “H.O.T” dhe si çdo të diel na mbajti mbërthyer pas ekranit me ngjarje të reja të papritura, komike, por sot edhe shumë prekëse.

Episodi tetë nisi me darkën e Danit, Amandës, Shpëtimit, Xhenit, Palit e Lilit. Gjatë darkës Xheni nuk ngurroi ta ngacmonte vazhdimisht Danin duke e vendosur në siklet ndërsa Shpëtimi nuk kuptoi asgjë.

Lori pasi bëri 5 teste shtatzënie mësoi se nuk është shtatzënë, por kjo gjë nuk e ndali me planin e saj. Të gjithë rreth saj nisën të sillen sikur ajo është shtatzënë duke i plotësuar tekat e dëshirat, pa e ditur të vërtetën.

Madje Genti mendoi se do të bëhet baba dhe mori përgjegjësinë.

Amanda nga ana tjetër shkoi në shtëpinë e Aleksit teksa ai ndodhej me Alketën duke biseduar planin e tyre. Aleksi fshehu Alketën dhe u përball me zemërimin e Amandës, e cila i tregoi se Lori është shtatzënë dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi.

Pjesa më kulminante e episodit të sotëm ishte kur Nora i kërkoi Danit të bënte një zgjedhje mes saj dhe Amandës. Kjo e fundit dëgjoi gjithçka dhe u përlot kur mësoi se Dani ende e dashuron Norën. "Nuk e di a do vijë ndonjë ditë që unë nuk do kem më ndjenja për ty", i tha Dani Norës teksa Amanda dëgjonte prapa dere me lot në sy.

Në fund Amanda vendosi të dilte përballë tyre duke i treguar Danit se dëgjoi gjithçka. E përlotur ajo u largua me shpejtësi teksa Dani e ndoqi nga pas. Sikur të mos mjaftonin këto, tek dera Danin e prisnin dy policë, të cilët e arrestuan nën akuzën për "vjedhje dhe shpërdorim detyre".

Për ju që nuk arritët ta ndiqnit episodin e sotëm, e gjeni në aplikacionin Klani im dhe shumë shpejt në kanalin zyrtar të Ermal Mamaqit në Youtube. H.O.T vjen me producentë Ermal Mamaqin e Dritan Huqin dhe skenariste Klaudia Brahimajn.





