Nga Shqipëria / E Mërkurë 8 Dhjetor 2021, 18:06

Surprizë: Joel Mamaqi, aktori më i ri i serialit ‘H.O.T’

Seriali “H.O.T” ka rrëmbyer zemrat e teleshikuesve që në seritë e tij të para, të cilat gjenden edhe në Youtube. Seriali ka një kast të njohur aktorësh, ndërsa së fundmi do i shtohet dhe një i ri.

Me anë të disa postimeve në rrjete sociale, Ermal Mamaqi ka treguar se djali i tij Joeli do të bëhet pjesë e “H.O.T”. Ai ka publikuar foto nga xhirimet, duke u shprehur se kjo është për të një ëndërr e realizuar.

“Aktor i ri i “H.O.T”. Xhirimet me djalin tim janë një ëndërr që realizohet…Joel Mamaqi YLLI”, ka shkruar Ermali. Nuk dihet ende se çfarë roli do të ketë Joeli, por këtë do ta zbulojmë në vazhdim.

Kujtojmë se seriali ka si producentë Ermalin dhe Dritan Huqin, ndërsa si autorë Klaudia Brahimajn dhe Bjord Mezinin. “H.O.T” ka bërë bashkë emra shumë të njohur për publikun si Jonida Vokshi, Ermal Mamaqi, Irgen Çela, Megi Pojani, Klea Huta, Inis Gjoni, Kastriot Çaushi, Ana Lika, Gëzim Rudi, Amos Zaharia, Erblin Bajko dhe Monika Lubonja.

Episodet e reja të "H.O.T" mund t'i ndiqni çdo të diel në TV Klan në orën 20:00 dhe ritransmetim në aplikacionin Klani im dhe në kanalin në Youtube të Ermal Mamaqit.