Duke filluar nga sot të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, 6 muaj pasi kanë kryer dozën e dytë.

Lajmin e dha vetë kryeministri Rama me një postim në rrjete sociale dhe gjithashtu ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Parlament.
“Në Shqipëri, 47 % është mbulesa vaksinale me të paktën një dozë. 42% e popullatës target mbi 16 vjeç. I referohem këtu shifrave për grupin që kemi synim të vaksinojmë sepse do të doja këtu të jepja dhe një informacion tjetër që është po kaq i rëndësishëm. Nga sot çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë të vaksinës nëse ka kaluar 6 muaj nga aplikimi i dozës së dytë”, tha ministrja.

Po ashtu Manastirliu gjatë fjalës saj në Kuvend bëri me dije se qeveria ka garantuar financimin për vaksinat, me qëllim përmbushjen e programit kombëtar të vaksinimit anti-Covid.
“Qeveria shqiptare ka garantuar vaksinat dhe ato janë të disponueshme për të gjithë popullatën e targetuar. Deri më sot, qeveria shqiptare ka financuar për blerjen e vaksinave anti-Covid 36 milionë USD. Kemi parashikuar edhe 27 milion dollarë për vitin e ardhshëm, me qëllim përfundimin e programit kombëtar të vaksinimit anti-Covid. Kjo marrëveshje që sjellim sot për miratim lehtëson procedurat për vaksinat Pfizer që dhurohen nga shtetet e tjera, gjë që na ndihmon në rritjen e disponibilitetit të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë”, bëri me dije ajo.
