Një udhëtim i nisur sot nuk ishte menduar se do të kthehej në tragjedi për turistët e nisur nga Shkupi drejt Stambollit. Kthimi ishte parashikuar mbrëmjen e djeshme nga Bullgaria, por diçka nuk ka shkuar mirë dhe autobusi ka shpërthyer në flakë në Bullgari. Për pasojë kanë ndërruar jetë 46 persona, shumica e të cilëve me origjinë shqiptare. Mes viktimave janë 27-vjeçari Gazmend Ukalli nga Kërçova dhe e fejuara e tij 23-vjeçare Albina Beluli nga Tetova.
Gazmendi ka punuar në kabinetin e kryetarit të komunës së Kërçovës, ndërsa në Stamboll kishin shkuar të festojnë ditëlindjen e tij të 27-të.
Ukalli ka qenë anëtar i këshillit rinor të komunës së Kërçovës nga viti 2015. Profesori Ylber Sela ka shkruar në facebook se ata ishin dy studentët më të mirë të gjeneratës.
“Lajm i trishtë. Zoti ju faltë parajsën. Dy studentët më të mirë të gjeneratës. Ngushëllime familjeve të tyre, studentëve të gjeneratës të Albinës dhe Gazmendit. Ngushëllime edhe gjithë të tjerëve…!”, ka shkruar profesori Ylber Sela.
