“E dashuroja marrëzisht Alvisën, jepja jetën për të, i kërkova të fejoheshim, por shihni ç’më bëri. Më tradhtoi me tjetrin në mes të natës”, kështu u shpreh Hyseni mbrëmjen e djeshme, teksa zbuloi se ai dhe Alvisa kishin qenë të lidhur gjatë gjithë kohës, por ajo e kishte tradhtuar me Bashkimin.

Për të provuar fjalët e tij, ai tregoi dhe regjistrimet që i kishte bërë Alvisës pothuajse në çdo moment. Mirëpo, dashur pa dashur, Hyseni provoi diçka tjetër më të rëndë. Provoi se Alvisa kishte qenë e regjistruar dhe e përndjekur në çdo moment të lidhjes.

Këtë e deklaroi dhe vetë konkurrentja teksa bëri një rrëfim shokues. Me sytë e përlotur, Alvisa tha se Hyseni e kishte shantazhuar, kërcënuar, përndjekur -por ç’është më e tmerrshmja-dhunuar. Ajo deklaroi se kishte jetuar me frikë dhe gjithçka e kishte bere nën trysninë e kërcënimeve.

Ndonëse deklarata e saj ishte vërtetë shokuese, aq sa konkurrentja kishte dhe foto të lëndimeve të saj trupore, mund të themi që askush nuk e besoi.
Pothuajse të gjithë në studio u kapën pas “Alvisës së pacipë që tradhtoi të dashurin”, “Alvisa mashtruese që i gënjeu të gjithë”, por asnjë nuk u ndal te “Alvisa e dhunuar që ka jetuar me frikë”. Dhuna u trajtua si diçka normale.

Gjithçka që dëgjuam ishte “Pse nuk e denoncove? Të gjithë kanë kaluar dhimbje, prandaj janë ish-a. Ai është problemi juaj. Çfarë mesazhi po jep?”, nga ana e konkurrentëve, konkretisht Ritvana dhe Mikela.
Ndërkohë opinionisti Arjan Konomi u shpreh “Në telefon nuk dukej se ishte një femër e dhunuar. Ky është viktimizimi i fundit i Alvisës, arma e fundit, le ta përdorë dhe këtë”.

Alvisën askush nuk e besoi dhe veprimet e Hysenit u justifikuan në emër të dashurisë që tha se ndjente. Cila është e vërteta nuk u takon pjesëmarrësve të “Përputhen” ta gjykojnë, ajo që ka rëndësi është të jepet një shembull se si duhet menaxhuar situata kur një vajzë tregon se është dhunuar. I duhet ofruar ndihmë dhe resurset për të shpëtuar nga dhunuesi. Më pas janë institucionet përkatëse që duhet të hetojnë dhe jo personat në studio.
Nuk duhet harruar kurrë se ngjarja është transmetuar para një publiku të tërë dhe më e pakta që mund të bëhet është të merren parasysh të gjithë ato vajza dhe gra që ndoshta janë pre e dhunës. Mesazhi që u jepet është që nëse provojnë të flasin, do të ndeshen me të njëjtat reagime. Dhuna u trajtua si diçka normale, por dhuna nuk është diçka normale!
“Pse nuk e denoncove?” është e lehtë të thuhet, por mos të harrojmë se vetëm pak kohë më parë një 23-vjeçare u vra nga ish-bashkëshorti, të cilin më parë e kishte denoncuar. Sa e sa raste!
Nëse Alvisa e ka tradhtuar Hysenin, nëse Alvisa ka shkelur rregullat e lojës, nuk është aq e rëndësishme se sa denoncimi i dhunës në një Shqipëri të mbushur me gra të dhunuara e të vrara nga duart e partnerëve dhe ish-partnerëve.
Autorja: xspahiu



