Një 16-vjeçare në Gjirokastër është dhunuar seksualisht në mënyrë të përsëritur nga një 53 vjeçar, K.H. Mësohet se ai është i afërm i familjes, konkretisht xhaxhai i të atit të vajzës.
Nëna e 16-vjeçares ka treguar për mediat të gjithë ngjarjen. Sipas dëshmisë së saj, vajza ka shkuar te psikologu ku ka zbuluar se K.H e ka dhunuar seksualisht që në moshën 12-vjeçare.
“Vajza, erdhi dje tek psikologu dhe i tha që ka që 12 vjeçe e deri sot që ai kryen marrëdhënie me vajzën. Unë nuk dija gjë fare. Ma tregoi vetë vajza. Për herë të parë e kishte te shtëpia e tij. Është xhaxhai i burrit. Është i martuar po i ka vdekur gruaja. Ka një djalë. Nuk e di si e kishte bindur për herë të parë vajzën se ajo qe e vogël. Vajza tha vetëm dje. Mua s’më shkonte mendja se e kisha xhaxhain e burrit, thashë se do të na përkrahte. Vinte ai për kafe, dhe ne nuk ramë në pre të këtij muhabeti. Ka kryer vazhdimisht marrëdhënie me vajzën. Tani shyqyr zotit është mirë. Vajza do më kishte vdekur, e katërta ditë sot, do ta kisha mbuluar do ta kisha qarë vetë. Denoncimin e bëri kunati im. Unë jam të më zërë kjo mbi të dhe të vdes fare. Nuk e dua jetën fare", është shprehur e ëma e të miturës.
