Regjisorja e njohur në Kosovë, Burbuqe Berisha është ndarë nga jeta ditën e sotme në vendin e saj të punës, në Ministrinë e Kulturës. Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Ministrisë në rrjete sociale.

Njoftimi:
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në njoftim.
Ajo vlerëson rolin e Berishës si regjisore e një numri të madh filmash. “Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar. Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi.
Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, si dhe ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës”.

