Nga Shqipëria / E Diel 24 Tetor 2021, 14:02

Pak orë nga premiera, njihuni në detaje me personazhet e serialit ‘HOT’ dhe historitë e tyre

Seriali i parë dhe i shumëpritur i Ermal Mamaqit, i titulluar “H.O.T” (Humans of Tirana) nis transmetimin sonte në orën 20:00 në Tv Klan, por dhe në aplikacionin 'Klani im'.

 

Seriali ka bërë bashkë emra shumë të njohur për publikun si Ermal Mamaqi, Jonida Vokshi, Irgen Çela, Megi Pojani, Klea Huta, Ana Lika, Inis Gjoni, Kastriot Çaushi, Monika Lubonja, Amos Zaharia, Erblin Bajko dhe Gëzim Rudi. 

Teksa të gjithë po presin me padurim t’i shohin në ekran, më poshtë po ju njohim me rolet e tyre:

1. Ermal Mamaqi- Dani

Dani është njeriu me talentin e lindur, etikën e kulluar në punë, pasionin që e konsumon së brendshmi dhe ëndrrën e madhe për të realizuar filmin perfekt. Jeta e tij mund të kishte qenë shumë më e lehtë nëse nëna nuk do ta kishte brakstisur në moshën 10 vjeçare duke e lënë në mëshirën e një babai pre të dhimbjes dhe të pafuqishëm për të ecur para. Duket se historia përsëritet kur ai braktiset sërish, këtë herë nga vajza që ka dashuruar që në kohët e shkollës, me të cilën janë rritur bashkë.

Ai nuk i ka kërkuar dhe nuk i ka merituar ndërlikimet në të cilat gjendet por duket se cikli nuk përfundon kurrë dhe është gjithmonë një femër në jetën e tij...ose dy, ose tre, ose katër...që e zhysin dashur padashur në situata të vështira dhe dilema morale. Përmes gjithë kësaj, ai mundohet ti qëndrojë besnik karakterit të tij, pa hequr dorë nga ëndrra e madhe.

2. Jonida Vokshi-Amanda

Amanda është e fejuara e Danit dhe vajza e Maksit (pronarit te agjensisë) si edhe motra e vogël e Aleksit. E trajtuar gjithmonë si një kukull prej porcelani, Amanda është rritur me frikën se do të thyhet dhe mendon që ka nevojë për një burrë që do të mund të jetë në gjendje të bashkojë copat e saj. 

3. Klea Huta- Nora

Nora është dashuria e jetës së Danit dhe anasjellas. E bukur, e zgjuar, ndoshta më e talentuar si regjisore se Dani por me siguri më ambicioze se ai, nuk e mendoi dy herë t'i jepte fund lidhjes për shancin të studionte në Amerikë. 

E paprekshme nga pikëpamja emotive, ajo fsheh brishtësine e saj dhe shumë pak veta arrijnë ta shohin. Nora kthehet në jetën e Danit në momentin më të papërshtashëm dhe tani që po e humb, kupton çfarë është e gatshme të bëjë për të. Shumë shpejt do ti duhet të vendosë nëse dashuria e saj vlen më shumë se karriera.

4. Megi Pojani-Xheni

Xheni posedon tiparet fizike që mund të marrosin çdo mashkull.
E pafuqishme për të bërë gjë tjetër, Xheni përdor në çdo mundësi hiret e saj por kur kjo nuk funksionon me, ajo shndërrohet në një person manipulues. 

5. Xhoda-Genti

Genti ështe asistenti i regjisë së Danit, të cilit i pëlqen te mendojë që është dhe shoku më i ngushtë i tij, megjithëse Dani nuk mendon të njëjtën gjë. Genti është i papërgjegjshëm, i bezdisshem dhe i pakualifikuar për të qenë asistenti Danit, por gjithsesi ka një zemër të madhe dhe është i gatshëm të bëjë çfarëdo lloj sakrifice për të. Nga ana tjetër, Dani e trajton gjithmonë keq duke qenë i sigurt që ai do të jetë gjithmonë aty për të.

Genti ka një dobësi për marijuanën, e cila e bën atë të papërgjegjshëm në punë si edhe me qesharak se zakonisht por obsesioni më i madh i Gentit do të bëhet nje vajze.

6. Ana Lika- Lori

Lori është shoqja e ngushtë e Amandës të cilën kjo e fundit e rekomandon të punojë si sekretare e Alketës, drejtoreshës së Agjencisë së reklamave. Bjonde, seksi, me dëshirën për t'u veshur bukur dhe për të jetuar jashtë mundësive të saj financiare, ajo është gjithmonë pa lek në xhep dhe në kërkim të një burri që mundet t'i ofrojë lukset që ëndërron.

Komiciteti i saj të jep përshtypjen se është mendjelehtë por në fakt rolin e naives ajo e zgjedh për të shmangur përballjen me realitetin. Ajo harxhon aq shumë energji për të mos punuar sa do të lodhej më pak sikur të punonte. 

7. Inis Gjoni- Alketa

Alketa është shefja e agjencisë së reklamave ku Dani punon. Cinizmi, manipulimi dhe hakmarrja janë tre specifikat e karakterit të saj që ajo i shet si virtyte. Alketa nuk është thjesht e keqe, ajo krenohet me negativitetin e saj. E bindur që te tjerët janë më pak të zote se ajo, nuk ka brerje ndërgjegje për t'i manipuluar.

Alketa është anatgonistja perfekte e historisë sonë dhe njëkohësisht heroina e historisë së vet: Ajo do te fitojë mbi botën më çdo kusht duke u imponuar me të gjitha mënyrat edhe nëse bota nuk është dakord.

8. Amos Zaharia- Aleksi

Beqari më i lakmuar në çdo ambient, i pasur, tërheqës, me shije në veshje dhe intelekt të kultivuar, Aleksi është rritur në një familje të pasur që ka dhënë gjithçka. Megjithatë kjo nuk ka mjaftuar që ai të mos ndjejë konkurrencë me të jatin që e çon në ekstreme.

Ajo që duket si urrejtje ndaj babait, në fakt është një nevojë e sëmurë për t'i provuar atij se vlen më shume. Nuk njeh skrupuj kur vjen puna tek biznesi dhe ka mprehtësinë dhe guximin për të thurur planet më gjeniale.

9. Monika Lubonja-Lili

Një zonjë e shtresës së larte dhe plot klas, Lili ka lindur dhe është rritur në një familje të pasur, për t’u martuar më vonë sërish me një të tillë. Edhe pse jeta e ka favorizuar nga ana financiare, ajo nuk ka patur të njëjtin fat në dashuri. Ish bashkëshorti I Lilit e ka mbajtur për vite me rradhë nën kontrollin e tij duke e maskuar herë si përkujdesje e herë si xhelozi dhe duke krijuar rreth saj një realitet të rreme, i cili shembet pas vdekjes së tij duke lene pas nje mister.

10. Kastriot Çaushi- Pali

Pali është babai Danit. Pas zhdukjes të gruas të tij, ai reagon ndaj dhimbjes në mënyrë infantile, duke krijuar tek Dani një figurë atërore të paqartë qe krijon mes të dyve një mur të padukshëm. 

Duke qenë për shumë gjatë beqar ai ka harruar si të sillet më një grua por gjate serialit lupton që jeta ende nuk ka mbaruar, por përkundrazi është edhe më e bukur në këtë moshë. 

11. Gëzim Rudi-Maksi

Maksi është pronari i agjencisë së marketingut rreth së cilës vërtiten dhe bashkohen të gjithë personazhet e serialit. Asgjë nuk i është falur në jetë por i është dashur të luftojë dhe të sakrifikojë për të qenë aty ku është, ndaj edhe shpesh është i rreptë me fëmijët e tij, sidomos me të birin, Aleksin. Dëshira e mirë e Maksit për ta shtyrë Aleksin të bëhet më i përgjegjshëm, i kthehet kundër duke e larguar prej ti, madje duke krijuar mes të dyve një armiqësi dhe konkurrencë.

Kujtojmë se seriali ka si producentë Ermalin dhe Dritan Huqin, ndërsa si autorë Klaudia Brahimajn dhe Bjord Mezinin.