Prej vitesh Klaudia Pepa e ka ndërtuar karrierën e saj në Itali duke realizuar ëndrrat me punë e përkushtim absolut. Balerina ka arritur të jetë pjesë e shumë projekteve në fushën e baletit krah emrave më të njohur në Itali, por prej kohësh i mungon edhe publikut shqiptar.

Në një intervistë për "Revista Class", Klaudia tregon se ka marrë shumë oferta nga televizionet shqiptare për të qenë pjesë e jurive në programe televizive, por aktualisht ajo po merret me një projekt surprizë që do e rikthejë në atdhe.

E pyetur se çfarë i mungon nga Shqipëria, balerina tha se i mungon padyshim familja, të flasë shqip dhe... byreku.
Po projektet që të lidhin me Shqipërinë, kemi të reja në plan?
Jam në krijim të një projekti që ka në thelb baletin dhe kontaktin me njerëzit, është surprizë…

Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?
Është e kuptueshme që, në radhë të parë, më mungon familja, më mungon të flas gjuhën time në përditshmëri.
Por nuk e mohoj faktin që më mungon shumë edhe byreku, hahaha.

Cila është oferta më joshëse që të është bërë në Shqipëri, por e ke refuzuar për të mos u kthyer?
Kam pasur shumë oferta për të qenë pjesë në jurinë e disa programeve televizive, por i kam refuzuar për faktin që nuk ndihem akoma gati për këtë rol. Me siguri në të ardhmen do jenë, pa dyshim, pjesë e eksperiencave të mia.

E mendon kthimin përfundimtar në Tiranë?
Ne artistët jemi qytetarë të botës dhe dëshirojmë të udhëtojmë me artin tonë sa më shumë të jetë e mundur.
Shqipëria ka vendin e parë në zemër dhe, pa dyshim, jam gati të bashkëpunoj apo të vij me projekte të ndryshme gjithmonë.






