Na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja e serialit që të gjithë po e presin me padurim "H.O.T" (Humans of Tirana). Seriali do të nisë me datë 24 Tetor dhe do të transmetohet çdo të dielë. Regjisori i serialit, Bjordi Mezini në një intervistë ekskluzive për "xing.al" zbulon më shumë detaje nga ky projekt, që nga puna e tij si regjisor, tek vështirësitë që u hasën gjatë xhirimeve dhe ajo ç'ka presim të shohim nga 24 Tetori.

Kujtojmë që Bjordi Mezini u bë i njohur për publikun si pjesëmarrës në "Big Brother 2" dhe më pas si regjisor i serialeve "Kokrrat" dhe "Dopio". "H.O.T" është seriali i tretë i Bjordit, por siç tregon, i pari me një produksion kaq masiv dhe me një skenar kaq të zhvilluar.

Intervistë me Bjordin:
Në prag të transmetimit të serialit “H.O.T”, një publik shumë i gjerë po njeh Bjordin si regjisor dhe jo vetëm si ish-banor i “Big Brother”. Por ky nuk është seriali yt i parë, apo jo?
Bjordi: Jo, në fakt është seriali im i tretë, por i pari me një produksion kaq masiv dhe me një skenar kaq të zhvilluar.
Regjia është një ëndërr e jotja e hershme apo e zbuluar rrugës? Si nisi karriera jote në këtë fushë?

Bjordi: Kinemaja është pasioni dhe dashuria ime e parë dhe kur isha shumë i vogël kuptova që ajo ishte rruga ime, kështu që sapo m'u dha mundësia, fillova të punoja në çdo set që më dilte përpara në role nga më të ndryshme duke punuar me shumë regjisorë dhe kineastë që më mësuan atë që di sot të bëj. Dhe pune pas pune u rrita në nivel dhe ja ku jam sot, regjisori i serialit më HOT në qarkullim.
A mund të themi se seriali “H.O.T” duke qenë se pritet nga një audiencë shumë e madhe dhe transmetohet në TV Klan, pritet të shënojë suksesin tënd më të madh regjisorial?
Bjordi: Në një farë mënyre, “H.O.T” që tani është suksesi im më i madh regjisorial, sepse vetëm fakti që më është dhënë mundësia të drejtoj një projekt kaq ambicioz, të punoj me artistët më të mirë që ofron ky vend dhe aq më tepër të transmetohet në televizionin që ka më shumë audiencë në Shqipëri, është sukses personal më vete.
Ti je dhe ideatori i serialit, na trego më shumë si lindi dhe u zhvillua ky projekt?

Bjordi: Para 2 vitesh xhirova një episod pilot të një seriali që fliste për jetën e një regjisori të ri dhe aventurat e tij në Tiranë. Fillimisht po zhvilloja projektin i mbështetur nga producenti im Dritan Huqi dhe kur me vonë Ermal Mamaqi u bashkua edhe ai si producent, vendosëm te rikonceptonim natyrën e projektit duke vendosur Ermalin në rolin kryesor. Atëherë skuadrës ju bashkua skenaristja e "I love Tropoja", Klaudia Brahimaj, që pas suksesit të filmit mezi po priste të çlironte prapë talentin e penës së saj (për fatin tim) dhe avash-avash skenari origjinal u ripërpunua dhe u transformua në veprën kaq HOT që është sot.
Ka qenë e vështirë të realizohej dhe drejtohej një projekt me të tilla përmasa? Cila ka qenë vështirësia më e madhe?
Bjordi: Nuk mund të them që ka qenë një produksion i lehtë pikërisht sepse “H.O.T” është serial shumë ambicioz dhe ka kërkuar shumë përkushtim nga ana e produksionit për t’i bërë ballë vështirësive të ndryshme, por pikërisht sepse produksioni ka qenë kaq eficent për mua ka qenë disi më e thjeshtë të drejtoja projektin. Vështirësia më e madhe për mua ka qenë vapa. Xhiruam në muajin më të nxehtë të vitit dhe kjo ka ngarkuar produksionin akoma më shumë.
Cilat janë pikat e forta të serialit që do të mbërthejnë audiencën?

Bjordi: Seriali flet për disa njerëz që mbase jetojnë në rrethana të veçanta dhe mund t'i ndodhin gjëra të jashtëzakonshme, por janë të gjithë personazhe që reflektojnë natyrën njerëzore siç është në realitet. Çdo personazh në “H.O.T” është dikush që mund të njohim në jetën tonë dhe e kemi shumë të thjeshtë të relacionohemi me ta. Dhe besoj kjo do e bëjë publikun të lidhet akoma më shumë me ngjarjet.
Çfarë ti mezi pret që njerëzit të shohin?
Bjordi: Ahh pyetje e veshtirë, nuk di nga t’ja filloj... Mezi pres te shohin performancën e trupës së aktorëve në rradhë të parë, që është për mua vlera më e madhe serialit.
Na zbulo ndonjë detaj më shumë, përshembull seria më e mirë?
Bjordi: Vështirë dhe këtu të zgjedh, por episodi im i preferuar besoj është episodi 8. Aty ka disa nga skenat që më dhanë më shumë kënaqesi kur i drejtova, ku aktorët më krenuan me një performancë fantastike.
“H.O.T” është marketuar si një dramedy (dramë-komedi), për ata që nuk e dinë, çfarë do të thotë saktësisht?
Bjordi: Dramedy është ai zhaner ku gjen elemente të komedisë dhe njëkohesisht të drames dhe është për mua mënyra më e mirë për të treguar këto lloj historish, sepse ashtu është edhe jeta, pak komike, pak dramatike.
Cili ka qenë aktori/ja më e vështirë për të drejtuar dhe pse?

Bjordi: Nuk do thoja që pata vështirësi të drejtoja një aktor specifik, por mbase një karakter. Përshembull na është dashur shumë punë mua dhe Inis Gjonit që të sillnim personazhin e saj në nivelin e duhur, sepse ai personazh në vetevete është një karakter i vështirë për t'u ndërtuar falë personalitetit multi-dimensional që ajo ka.
A është menduar të ketë një sezon të dytë apo është një serial i limituar?
Bjordi: Unë shpresoj shumë të ketë vazhdimësi sepse historia e Danit tek sezoni i parë vetem ka filluar. Por nëse do ketë sezone të tjera, e di vetëm publiku.




