Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp ka prezantuar sot planin e qeverisë në lidhje me krizën energjitike që pritet të përjetojë vendi dhe rajoni. Kryeministri tha se me ardhjen e tij në pushtet ka pasur gjithnjë një plan për mbrojtjen e konsumatorëve, duke sjellë në vëmendje mënyrën e taksimit të pagës.
Kryeministri tha se kur mori pushtetin paga e tij taksohej më pak se ajo e sanitares dhe shtoi se paga e ministrave dhe deputetëve nuk është rritur përsa kohë ai ka qenë në pushtet, ndërsa është rritur taksa mbi rrogat e tyre.
Rama: Meqë ra fjala, qysh se ju më keni zgjedhur mua të hyj në këtë godinë, pagat e ministrave e të deputetëve nuk janë rritur asnjëherë, ndërsa taksa mbi pagën e tyre po, është rritur!Sepse kur unë ngjita shkallët poshtë dhe hyra në zyrën e kryeministrit, paga ime taksohej më pak se sa paga e sanitareve të kësaj godine. Po ashtu, siç në vitin 2014 ne ulëm taksat për biznesin e vogël, rritëm edhe taksat për biznesin e madh, sepse deri atëherë, furra e bukës paguante më shumë se sa 15 katëshi. Por edhe taksimi i të pasurve duhet arsyetuar mirë, sepse e para ata janë motori më i fuqishëm i ekonomisë dhe punëdhënësit më të mëdhenj të këtij vendi, e nëse taksat për ta bëhen pengesë, për rritjen e mëtejshme të aktivitetit të tyre ekonomik, nuk ka si rriten pastaj, as të ardhurat për buxhetin e shtetit nga ato taksa, as pagat e punonjësve të tyre, as vetë punësimi në këtë vend. Po edhe kjo është një histori tjetër, kështu që po ndalem këtu, për t’u kthyer tek çmimi i energjisë.
