Nga Shqipëria / E Enjte 7 Tetor 2021, 10:10

Gledis Nano merr detyrën e drejtorit të Policisë së Shtetit: Kërkesa e parë për policët

Ditën e sotme Ardi Veliu dorëzoi zyrtarisht detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai ia la stafetën Gledis Nanos, i cili u zotua të çojë përpara sfidat e policisë dhe të forcojë bashkëpunimin me qytetarët.

Nano u shpreh se policinë nuk e zgjodhi për të bërë karrierë, por ishte frymëzim nga babai i tij. Si detyrë të parë, ai tha se do të jetë inkurajues që të forcohet bashkëpunimi qytetar-polici.

"I shpreh falënderim  kryeministri dhe Ministrit për detyrën e re. Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por angazhim i frymëzuar nga babai im. Në këto dy dekada kam kuptuar se ky institucion është pjesë kryesore e jetës time që kërkon angazhim të lartë në çdo detyrë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta. Sfidat e arrira nga paraardhësi im Ardi Veliu kanë nevojë të çohen përpara.

Kërkoj ta konsiderojnë organizatën tonë si një partner. Ndaj do të jem inkurajues që bashkëpunimi qytetar-polici të forcohet edhe më shumë. Prioriteti im do të jetë intensifikimi i bashkëpuniimit me të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend. Ne synojmë një polici më të trajnuar, me kapacitet të shtuara.

Unë ju garantoj se me angazhimin tim do vazhdoj më tej me çuarjen përpara të reformave në Policinë e Shtetit. Në ditën e parë të detyrës dua të shfrytëzoj rastin e t’i uroj çdo kolegu suksese. Të gjithë ne jemi betuar në ditën që kemi marrë detyrën. Ndaj kërkoj angazhimin tuaj maksimal sipas betimit që të gjithë ne kemi bërë", deklaroi ai.