Nga Shqipëria / E Diel 3 Tetor 2021, 21:09

Vrasja e 19-vjeçares shqiptare nga i shoqi, qytetarët dalin në protestë

Qytetarët në Mal të Zi janë mbledhur pasditen e sotme për të protestuar për vrasjen e 19-vjeçares Sheila Bakija. Protesta u mbajt përpara ndërtesës së policisë në Tuz dhe u organizua nga disa organizata jo-fitimprurëse.

Në një deklaratë, organizuesit kërkuan që të nisin urgjentisht hetimet për rastin e të resë e cila dhunën nga bashkëshorti e kishte raportuar në polici.

Qëllimi i tyre ishte mbështetja e familjes së 19-vjeçares së vrarë në kërkimin e drejtësisë dhe për të parandaluar rastet e tjera të tragjedisë për shkak të dhunës në familje.

“Ne i kërkojmë Administratës Policore, Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi dhe Zëvendëskryeministrit për Sigurinë, Dritan Abazovic, të fillojnë një hetim urgjent për këtë rast të dhunës ndaj grave, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një të reje, pavarësisht faktit se dhuna është raportuar në polici,” thuhet në deklaratë.