Nga Shqipëria / E Diel 3 Tetor 2021, 17:05

'Më martoi pa lindur, nuk i fola kurrë babait e nuk e fal edhe tani që ka vdekur'

E ftuar në “Ka një mesazh për ty” tek "E Diela Shqiptare" Franga ka vendosur të tregojë historinë e saj. Ajo ka treguar se babai i vet e ka martuar ende pa lindur dhe ka këmbëngulur për vite me radhë që ta martonte me djalin që ai dëshironte. Ajo vazhdoi shkollën dhe nuk dëshironte që të martohej me atë që kishte zgjedhur babai. Franga nuk e dëgjoi fjalën e babait dhe u martua me dikë tjetër sepse vendosi që të zgjedhë vetë fatin e jetës së saj. Ajo tregoi se nuk ia ka falur kurrë të atit edhe pasi ai vdiq në 2004.

"Shpesh herë mund të thoni që qenke shumë katile. Me vëllezërit e mi, babai im është sjellë jashtëzakonisht shumë keq. Ishte shumë katil, i torturonte", tha Franga.

"Mbaj mend një moment, kur vëllain tim e ka lidhur me një tel në dorë dhe një tel në këmbët edhe e rrihte me dajak sepse vëllai im kishte kullotur delet dhe ato kishin hyrë dhe kishin bërë dëm në parcelat e kooperativës.

Edhe me nënën time është sjellë jashtëzakonisht keq. Në vitin e parë të shkollës së mesme, im atë kur vjen e më merr tek shkolla për të shkuar tek shtëpia një të shtunë, fillon dhe më tregon se si kishte torturuar nënën time, kur ai i kishte vënë litarin në fyt. Unë nga ai moment, babain nuk kam dashur ta shoh me sytë e ballit, për mua ai nuk ishte më baba”, tregoi ajo.