Kryeministri Rama tha këtë të dielë se kriza energjitike që po kërcënon botën nuk do të lërë pa prekur edhe Shqipërinë. Duke folur për rendin rritës të çmimeve të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, Rama u shpreh se kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz ka detyruar qeveritë që të përballen me rritje marramendëse çmimesh.
Ai ka paralajmëruar se rritja marramendëse e çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare është rreziku që kanos të ardhmen.
Edi Rama: Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara. Rritja eksponenciale e kërkesës konsumatore, pas hapjes së ekonomisë si rezultat i vënies nën kontroll të pandemisë, ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësira shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit; që nga Kina, ku mungesa e kapaciteteve energjitike të nevojshme për përballimin e kësaj kërkese, kërcënon afro gjysmën e kapaciteteve industriale të atij vendi, deri në Europë, ku kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz, ka detyruar qeveritë të përballen me rritje marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë, deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike. Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit. Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar. E gjithë kjo panoramë e situatës energjitike, me vetëm disa prej shembujve larg e afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale.
