Tetori është Muaji Kombëtar i Ndërgjegjësimit kundër Kancerit të Gjirit ndaj edhe është konsideruar si “Tetori rozë”. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka përcjellë një mesazh sensibilizimi për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin vetëm 30 minuta nga koha e tyre për të kryer vetëkontroll. Në videon e publikuar edhe gazetarja e njohur Rezarta Reçi ka rrëfyer betejën e saj me kancerin e gjirit, duke treguar sfidat e vështira me të cilat është përballur.

“Si gazetare radio-televizive kam luftuar me profesionalizëm për diagnostifikimin e hershëm dhe luftën e fortë kundër kancerit të gjirit. Ndërsa si Rezartë u dorëzova. U dorëzova jo nga frika por nga arsye të thella që lidhen me subkoshiencën time. E lashë pas dore. Ka qenë dashuria dhe vëmendja e miqve të mi më të ngushtë.
Ka qenë lufta frontale e ekipit të specializuar të mjekëve të Spitalit Onkologjik në Tiranë, të cilët morën masa të menjëhershme jo vetëm për të më diagnostifikuar, por edhe për ta luftuar kancerin e gjirit që ishte shfaqur në trupin tim. Jam mirënjohëse atyre. I jam mirënjohëse edhe vetes që zgjodha të mos plogështohem në krevat, përkundrazi zgjodha të bëj jetë aktive krahas luftës kundër kancerit të gjirit. Prandaj ti e dashur, ju të dashura që po më ndiqni, mos nguroni. Diagnostifikohuni për kancerin e gjirit, jo vetëm në muajin Tetor!”, shprehet ajo.
