Nga Shqipëria / E Martë 28 Shtator 2021, 16:04

A do ketë skena hot? Bjordi Mezini i përgjigjet të gjitha pyetjeve tuaja rreth serialit 'H.O.T'

Edhe pak ditë dhe në TV Klan do të nisë seriali që kaq kohë e kemi pritur, “H.O.T” (Humans of Tirana). Seriali do të nisë me datë 24 Tetor dhe do të transmetohet çdo të dielë. Kurioziteti është shumë i madh se ç’do të shohim në këtë serial dhe regjisori Bjordi Mezini ka zbuluar disa detaje.

I pyetur nga ndjekësit nëse në serial do të ketë skena të nxehta, Bjordi tregon se skenaristja Klaudia Brahimaj është kujdesur që këto skena të mos mungojnë.

“Skenaristja Klaudia Brahimaj është kujdesur që mos të mungojë ngrohtësia në serial, le të themi”, shkruan Bjordi duke nxjerrë edhe një foto nga xhirimet.

Bjordi zbulon se së shpejti do të publikohen edhe momente qesharake gjatë xhirimeve.

"Oh po, do të publikojmë disa blooper reels në momentin e duhur", shkruan Bjordi.

I pyetur për personazhin kryesor që e luan Ermal Mamaqi, ai e përshkruan me fjalën: “Një lëmsh”.

Bjordi zbulon se seriali do të ketë 10 seri dhe "është komedia më dramatike ose drama më komike që do shihni".

"Cila ka qenë vështirësia më e madhe për realimin e serialit?", është një pyetje tjetër, të cilës, Bjordi i përgjigjet: "Përveç faktit që xhiruam në muajin më të nxehtë të vitit, vështirësia më e madhe ka qenë koha në dispozicion për të xhiruar, e cila nuk mjafton kurrë".

“H.O.T” ka bërë bashkë emra shumë të njohur për publikun si Jonida Vokshi, Ermal Mamaqi, Irgen Çela, Megi Pojani, Klea Huta, Inis Gjoni, Kastriot Çaushi, Ana Lika, Gëzim Rudi, Amos Zaharia, Erblin Bajko dhe Monika Lubonja.