Nga Shqipëria / E Martë 28 Shtator 2021, 15:03

Vidhte kartat e identitetit pacientëve për të marrë kredi, arrestohet infermierja dhe bashkëpunëtorja

Elisabeta Bardhollari, infermiere është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet se vidhte kartat e identitetit të pacientëve në spitalin psikiatik në QSUT dhe i përdorte për të marrë kredi. Në pranga është vënë edhe bashkëpunëtorja e saj Orjada Hoxha, shitëse e një dyqani elektroshtëpiake.

ABC mëson se Bardhollari, nënë e dy fëmijëve kishte shkuar në dyqanin ku punonte Hoxha dhe kishte blerë disa elektroshtëpiake. Infermieria i ka pohuar shitëses se disa miq e familjarë të saj donin të merrnin disa produkte me kredi. Pasi ka marrë aprovimin, infermieria në kohë të ndryshme u kishte vjedhur kartat e identitetit pacientëve dhe ia çonte shitëses me foto. Kjo e fundit niste procedurat e marrjes së elektroshtëpiakeve me kredi.

Rasti u zbulua pas denoncimit të bërë nga një qytetar në polici. Nëpërmjet bankës së nivelit të dytë ku merrej kredia, u identifikua fillimisht shitësja, Orjada Hoxha, 32 vjeçe. Pasi u arrestua ajo pranoi veprimet që kishte kryer duke argumentuar se gjithçka e kishte bërë në mirëbesim.

Autorësinë e vjedhjes e ka pranuar në polici edhe infermieria Elisabeta Bardhollari. 39 vjeçarja i tha policisë se pasi merrte elektroshtëpiaket i shiste dhe se këto veprime i kishte bërë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

Në sajë të hetimeve janë dokumentuar 10 raste të vjedhjes, ku vetëm me kartën e identitetit të një pacienti janë marrë kredi në të paktën 4 milionë lekë të vjetra. Sipas policisë, nga operacioni i koduar “Elektro”, u sekuestruan edhe disa pajisje të ndryshme elektroshtëpiake që kapnin vlerën e 40 milionë lekëve të vjetra.

Si pjesë e kësaj skeme është proceduar dhe po hetohet në gjendje të lirë edhe një tjetër person. Ai luante rolin e shoferit që transportonte pajisjet elektroshtëpiake dhe i shiste në bashkëpunim me infermieren.

Burimi: abcnews