Nga Shqipëria / E Martë 28 Shtator 2021, 14:02

Luana konfirmon largimin nga Top Channel: Arsyet madhore që më çuan drejt këtij vendimi

Pas shumë aludimeve në media, Luana Vjollca ka konfirmuar sot largimin nga Top Channel. Përmes një letre të publikuar në Instagram, moderatorja shprehet se këtë sezon nuk do të rikthehet të shtunave me "Shiko kush luan", teksa shkruar se këtë vendim e ka marrë për disa arsye madhore, për të cilat nuk dëshiron të flasë tani.

Luana zbulon se aktualisht po merret me projektin e saj personal "Thuaje" dhe premton se do të rikthehet në ekran.

Bashkangjitur letrës ajo ka publikuar edhe sondazhet e "xing.al", ku "Shiko kush luan" është shpallur Emisioni më i mirë "Prime time" në 2020 dhe ajo vetë Moderatorja më e mirë e vitit.

Letra e Luanës: “Nuk e paskam dit’ sa shumë qenkemi dasht’!

Dashni pa kushte, dashni e madhe, dashni e vërtetë, e njëjtë nga të dyja palët: Unë dhe ju. Për ju që më pyesni e më shkruani qindra e mijëra herë gjatë ditës “Kur do të rikthehesh në TV: - e kërkoni këtë me ngulm gati-gati në protest…WOW ça ndjesie! Qenka dasht’ me u ndal pak, me pas kohë me përjetu dashninë tuaj, me kuptu sa e fortë dhe e vërtetë qenka kjo dashni, me refkektu tek vetja që vërtetë kam punuar shumë shumë shumë fort për kaq e kaq shumë vite por ia paska vlejt’ barra qeranë.

Arritja më e madhe në këtë profesion qenka kur njerëzit t’i marrë malli për ty në ekran – aq shumë sa të merr ty malli për duartrokitjet e tyre!

Ndjej për detyrim të ndaj me ju publiku im, ju që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim televiziv, ju që më keni komplimentuar, kritikuar, dashur e urryer…Secili prej jush ka kontribuar në formimin tim artistic.

Duke e marrë këtë konfirmim kaq të madh që ju kam në krahë në çdo hap më ka lehtësuar peshën e vendimeve ndoshta pa dëshirën e plotë, por për shkak të rrethanave dhe arsyeve madhore, për të cilat nuk do të doja të flisja, ashtu siç kam zgjedhur përherë…

Nga ky sezon nuk gjendem nën logon e Top Channel (i cili, do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me “Shiko kush luan”.

Tani, prioriteti im është një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës. #Thuaje

Mirëpo, asesi nuk do t’iu lë në baltë, ashtu siç e di që ju s’do të më linit kurrë mua. Paralelisht jam duke punuar për të qenë sa më shpejt afër jush me programe argëtuese, çdo të shtunave mbrëma, sepse tradita jonë mund të vonojë, por nuk do të mungoj, premtoj!"