Nga Shqipëria / E Shtunë 25 Shtator 2021, 15:03

Me granata e pistoletë, shkodrani plagos studenten 20-vjeçare në Vlorë

Një ngjarje ka tronditur qytetin e Vlorës mesditën e kësaj të shtune ku një vajzë 20-vjeçare ka mbetur e plagosur. 20-vjeçarja K.Z, lindur në Berat, studente në Vlorë, raportohet se është qëlluar me armë zjarri nga F.N, 30 vjeç, banues në Shkodër.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:05, në lagjen “28 Nëntori”. Falë ndërhyrjes së policisë mësohet se 30-vjeçari është arrestuar.

Gazetari i ABC, Elton Nika, raporton se fillimisht i riu ka qenë i ulur i vetëm në kafe, ndërkohë që menjëherë pas mbërritjes së vajzës, ka nisur dhe konflikti mes tyre. Ai e ka tërhequr atë për disa metra zvarrë dhe më pas e ka qëlluar me armë.

Sikur të mos mjaftonte plagosja e vajzës, i riu nga Shkodra ka hedhur edhe një granatë në ambientet e lokalit ku debatoi me 20-vjeçaren,  por fatmirësisht kjo granatë nuk shpërtheu duke shmangur kështu një tragjedi. Ndërkohë policia atij i ka gjetur në një çantë një granatë të dytë.

Vajza ka përfunduar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Vlorë – Plagosi me armë zjarri një 20 vjeçare, falë reagimit në kohë kapet dhe arrestohet brenda pak minutash autori i dyshuar i ngjarjes.

Sekuestrohet një armë zjarri pistolet dhe 2 granata dore.

Më datë 25.09.201, rreth orës 12:05, në vendin e quajtur “Bar Cacai”, lagjia “28 Nëntori”, Vlorë është plagosur me armë zjarri shtetasja K.Z, 20 vjeçe lindur në Berat, student në Vlorë, e cila është shoqëruar për në spital për ndihmë mjeksore, momentalisht jashtë rrezikut për jetën.

Falë reagimit të mejëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi Fadil Nikaj, 30 vjeç, banues në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale Policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit me të cilën dyshohet se autori ka kryer plagosjen, një grantë dore në ambientet e lokalit si dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar në cantën e autorit iu gjetë dhe sekuestrua një granatë e dytë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.