Presidenca ka publikuar pamjet nga ceremonia e betimit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të kabinetit të ri qeveritar, para kreut të shtetit, Ilir Metës.

Rama dhe Meta kanë pozuar të dy me maska dhe me dekretin e betimit në dorë.

Njoftimi nga Presidenca
Anëtarët e Këshillit të Ministrave u betuan sot para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, sipas procedurës kushtetuese.
Me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Kryeministri Sh.T.Z Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave u betuan se: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”
Gjatë kësaj ceremonie solemne ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Sh.S.Znj. Lindita Nikolla dhe anëtarët e Kabinetit të Presidentit të Republikës.







