Pasi opozita bllokoi foltoren (Lexo këtu), kryeministri Edi Rama është rikthyer në Kuvend. Ai sqaroi se nuk mund të ishte i pranishëm në sallë për shkak të përgatitjeve për një udhëtim të shtunën.
Me rregulloren e parlamentit në dorë, Rama tha se nuk thuhet askund që deputetët duhet të qëndrojnë me detyrim në sallë, nëse kanë arsye që i pengojnë për të qenë të pranishëm.
Kryeministri theksoi se me të keq dhe duke përdorur forcën, opozita nuk ka fituar dhe nuk do të fitojë kurrë.
"Në këtë rregullore nuk shkruhet në asnjë rresht, që deputeti ka detyrim të qëndrojë në sallë kur për arsye të ndryshme nuk mund të jetë në sallë. Së dyti, dëgjon e gjithë qeveria këtu. Një debat i zgjatur me aq shumë orë sa ç'është kërkuar nuk mund të ndiqet nga të gjithë. Çdo gjë që thuhet këtu, shënohet dhe analizohet më pas.
Nuk u largova, nuk erdha në 16.00, për shkak të ngarkesës së punës. Se pasnesër duhet të largohem për shumë ditë. Për këtë arsye janë shumë detyra për t’u ndjekur. Kur mora mesazhin nga kryetarja që ju kishin ngritur çështjen që unë të jem i pranishëm thashë do të vij. Ju bllokuat foltoren. Me të keq, me akte që vënë përpara forcën fizike përdorimin e trupit si pengesë, me ne nuk keni fituar asnjëherë dhe as do të fitoni asnjëherë. Jam i gatshëm ta dëgjoj kryetarin e PD", deklaroi Rama.
Burimi: "Abc News"
