Nga Shqipëria / E Enjte 16 Shtator 2021, 17:05

‘E gjeta duke folur me të dashurin’, Elton Metaj rrëfehet nga burgu: Vrasjen e ka bërë babai i Sabrinës

Ditën e sotme i ftuar në “Shqipëria Live” ishte Kujtim Cakrani, avokati i 31-vjeçarit Elton Meta, i cili pak ditë më parë i mori jetën ish-bashkëshortes, Sabrina Bengajt.

Avokati solli në studio deklaratën e shkruar të Eltonit, ku tregon të gjithë versionin e tij të ngjarjes. Sipas 31-vjeçarit, ai dhe Sabrina ishin takuar pas daljes së tij nga burgu dhe ishin pajtuar me njëri-tjetrin.

Në letër, Meta akuzon babain e viktimës se i kërcënonte dhe ruheshin prej tij. Ai shkruan se ka shkuar disa herë në polici për ta denoncuar, por nuk i janë përgjigjur.

Në ditën e vrasjes, Meta deklaron se ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortes dhe e ka gjetur duke folur me të dashurin në Skype.

Deklarata e plotë:

"Unë Elton Meta, me anë të avokatit tim, dua të sqaroj opinionin publik se çfarë ka ndodhur përsa i përket veprimit tim. Jam liruar nga spitali i Zaharisë më datë 26 korrik, një ditë më pas jam takuar me ish-bashkëshorten time, mamanë dhe të tjerë familjarë të saj. U ulëm, pimë kafe dhe folëm pa asnjë problem. Me datë 1 apo 2 gusht ish-bashkëshortja merr leje nga puna dhe kemi ndenjur bashkë, ku kemi kryer dhe marrëdhënie seksuale. Më pas e kam shoqëruar në shtëpi. Takimet tona kanë qenë të përditshme, e merrja dhe e shoqëroja në punë, por gjithmonë ruhej nga babai i saj, të mos e kuptonte se ne i kishim rregulluar muhabetet. Mamaja, vëllai dhe kunata e saj e dinin për bashkimin tonë. Me datë 10-11 gusht u largova në Greqi dhe qëndrova dy javë. Kur u ktheva pashë që gjërat kishin ndryshuar. Ish-vjehrri filloi me kërcënime. Duke e njohur, i mora seriozisht kërcënimet dhe kam kërkuar ndihmë. Kam shkuar në polici dhe oficeri i policisë më tha se nuk ka kohë, hajde pas 2-3 ditësh. Kërcënimet vazhdonin dhe nuk dija si të veproja. Avokatët më thanë të shkoja prapë në polici. Drejtori sërish nuk më priti. Vjehrri më linte vendtakime për të më goditur, ndërkohë komunikoj me ish-bashkëshorten. Sabrina më tha se babai e ka marrë vesh dhe do na zhdukë të dyve, nuk do të takohemi më se unë kam një të dashur tjetër. Kjo sjellje më habiti sepse e kishim lënë të bashkoheshim. Ne duheshim dhe nuk kishim asnjë konflikt. Ish-vjehrri më shkruajti sërish dhe më la takim në një vend në Patos duke më thënë “hajde se do të të zhduk”. Duke qenë në një gjendje të ngarkuar emocionale, shkova mora armën, shkova te shtëpia e ish-vjehrrit. Kur hyra në banesë ish-bashkëshortja po fliste në Skype me të dashurin. Në momentin që më pa erdhi ish-kunata e cila filloi të qeshte. Ajo kërkoi të dilnim në oborr duke më thënë se nuk ka më punë me ty. Në moment, pa asnjë dëshirë për ta ekzekutuar sepse nuk e kisha konfliktin me të, por më babain, i cili është shkaktar i kësaj tragjedie, shkrepa armën që më doli nga kontrolli dhe mësova se Sabrina kishte ndërruar jetë. Jam fajtor për aktin, por dua të sqarohen të gjithë se për çfarë kam deklaruar të hapen mesazhet kërcënuese në Whats App, në Messenger dhe në të gjitha rrjetet sociale. Unë kam shkrepur armën, por vrasjen e ka bërë babai i saj”.