Ditën e sotme, një 26-vjeçare nga Vitia, Kosovë ka humbur jetën pas infektimit me Koronavirus. Ajo kishte lindur para pesë ditëve fëmijën në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
Lajmin e ka bërë të ditur anesteziologu, Gazmend Spahija, për gazetën “Express”. Pas lindjes së foshnjës, gruaja ishte transferuar në intensivë në gjendje të rëndë shëndetësore.
"Gruaja ka vdekur sot në orën 02:30. Ajo është sjellë në gjendje shumë të rëndë me datën 2 shtator pas intervenimit kirurgjik cezarian, pacientën e kanë transferuar në intensivë. Është kryer lindja me intervenimin kirurgjik, prej sallës është sjell në intensivë. Gjendja ka qenë shumë e rëndë, përpos dështimit të funksionit të mushkërive, kishte dështim edhe të organeve tjera”, ka thënë Spahija.
Spahija ka shtuar se pacientja kishte rezultuar pozitive me Koronavirus më 3 gusht të këtij viti. Ndërsa, është shprehur se nuk ka informacione nëse ajo ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme humbi jetën dhe një foshnje 3 javëshe nga Kosova.
