Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kosovë. Mjekët kanë nxjerrë nga stomaku i një 33-vjeçari celularin tip "Nokia", të cilin ai e kishte gëlltitur katër ditë më parë. Lajmin e ka bërë të ditur mjeku Skënder Telaku, me anë të një postimi në rrjete sociale.

"Mashkulli 33 vjec para 4 ditesh kishte perbire nje telefon te vogel. Me rruge endoskopike, pra pa e prere lukthin, nxorrem telefonin e ndare ne tri pjese. Pa komplikime", ka shkruar Telaku.
Në një deklaratë për "Express", mjeku ka treguar se rreziku ishte i madh pasi mund të shpërthente bateria.
“Ata më thirrën për një rast, ishte një person që kishte gëlltitur një trup të huaj. E pamë që ishte telefoni i ndarë në pjesë tri pjesë. Një pjesë ishte kapaku i përparshëm dhe i pasmi i plastikës, plus bateria brenda. Hymë me pajiset që i kemi këtu, njëherë e nxorëm një pjesë, mandej pjesën tjetër, në fund e nxorëm edhe baterinë, nga të gjitha këto pjesë bateria është më e rrezikshmja sepse ajo pjesë ishte fryrë dhe mund të shpërthente”, ka thënë ai.
