Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për televizionin ndërkombëtar BBC, për të folur rreth afganëve që janë strehuar përkohësisht në vendin tonë. Ai tha se ata që duan mund të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre këtu.
“Kjo është ajo që thonë ata. Ne i ftuam për t’i mbajtur përkohësisht. Ndoshta do të jenë në gjendje më pas të shkojnë në SHBA. Situata është e ndërlikuar. Me kaq shumë njerëz që aplikojnë për vizë amerikane do të duhet më gjatë se ishte thënë. Jemi të gatshëm t’i mirëpresin të qëndrojnë në Shqipëri nëse duan të vendosen këtu.
Ne kemi qenë në këtë pozitë jo shumë kohë më parë. 30 vite më parë ishim ne afganët që përpiqeshim të largoheshim nga ferri për të mbërritur në Europë. Ka qenë mjaft e ngjashme sa i takon ankthit përballë të panjohurës. Kjo nderon historinë dhe traditën tonë. Po bëjmë diçka që unë besoj që ua detyrojmë edhe fëmijëve tanë, që të rriten me besimin që në jetë ka një kohë të japësh dhe një kohë të marrësh. Ne nuk jemi vend i pasur por besoj se kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz. Ne nuk jemi vetëm. Ka shumë organizata që kujdesen për ta.
Ne për momentin po mbështetemi tek bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur. Mesa duket është një numër i konsiderueshëm njerëzish nga SHBA, Britania dhe vende të tjera që e kanë zemrën të pasur. Kemi një thënie në Shqipëri; bukë, kripë e zemër që është thelbi i solidaritetit. Për pjesën tjetër do t’ja dalim, sepse refugjatë që po përpiqen t’i ikin vdekjes po trokasin në dyert tona. Mësuam se në këtë jetë kujtesa është shumë e rëndësishme, e ndoshta të qenit shumë të pasur do të thotë të humbasësh edhe një pjesë të kujtesës”, është shprehur Rama.
