Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar udhëzuesin për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Maska është kthyer me detyrim për nxënësit e ciklit të lartë 9-vjeçar dhe për atë të mesëm, ndërsa për atë të ulët 9-vjeçar mbajtja e saj është me rekomandim.
Po ashtu, duke filluar pas 30 Shtatorit, vaksina do të bëhet me detyrim për mësuesit, nxënësit, sanitarët dhe rojet. Në rast të mungesës së vaksinës, çdo individ që futet në shkolla apo universitete duhet të paraqesë në mënyrë periodike vërtetim që nuk është infektues për të tjerët, përfshirë këtu test të kryer në 72 orët e fundit ose vërtetim që e keni kaluar COVID në 6 muajt e fundit.
Orari për hyrjen në shkollë do të rregullohet sipas një grafiku të hartuar nga drejtoria e shhkollës, ndërkohë që nxënësit nuk duhet të paraqiten në shkollë më vonë se orari i komunikuar nga mësuesi kujdestar. Ata duhet të vendosen në distancë me një largësi jo më pak se 1.5 metra.
Ata që kanë simptoma duhet të njoftojnë mësuesin i cili në bashkëpunim me mjekun verifikon nëse është apo jo i sëmurë. Çdo ditë do të bëhet matja e temperaturës me termometër digjital dhe sprucim me dezinfektantë në duar. Asnjë nxënës nuk do lejohet të dalë nga godina gjatë ditës dhe të kthehet përsëri. Dera e shkollës do të jetë e mbyllur, ndërsa dritaret e klasave ku zhvillohet mësimi rekomandohet të qëndrojnë të hapura.


Burimi: "Abc News"
