Nga Shqipëria / E Martë 31 Gusht 2021, 17:05

ISHP rekomandon mësimin në oborrin e shkollës, mësuesit të vaksinuar, maska me detyrim

Një ditë para nisjes së procesit mësimor shtesë, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar udhëzuesin për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Maska është kthyer me detyrim për nxënësit e ciklit të lartë 9-vjeçar dhe atë të mesëm ndërkohë që për atë të ulët 9-vjeçar mbajtja e saj është me rekomandim.

Mësimi në klasa këtë vit do të bëhet në bazë të rregullave strikte. Nxënësit do të ndalohen të dalin nga klasa, përveç rasteve kur duhet të përdorin tualetet dhe në këtë moment do të shoqërohen nga një person i rritur, përgjegjës për zbatimin e masave në institucion. Nxënësit e një klase të caktuar duhet të përdorin vetëm tualetin e katit ku ndodhet klasa e tyre pa u përzier me ata të kateve të tjera, ndërkohë që qëndrimi në korridore do të jetë i ndaluar.

Asnjë nxënës nuk do lejohet të dalë nga godina gjatë ditës dhe të kthehet përsëri. 

Gjithashtu ISHP në udhëzuesin e publikuar ditën e sotme rekomandon që nëse shkollat kanë mundësi dhe hapësira, mësimi të zhvillohet në ambient të hapur (oborr), duke respektuar distancën e rekomanduar mes nxënësve.

Nga mbajtja e maskës përjashtohen nxënësit që kanë sëmundje kronike apo patologji të tjera sipas rekomandimeve të mjekut.

Shkollat duhet të sigurojnë ujë të rrjedhshëm, sapun të lëngshëm, letra për fshirjen e duarve nga xheli me përmbajtje alkooli deri në 60% në të gjitha ambientet e shkollës.