Nga Shqipëria / E Shtunë 28 Gusht 2021, 19:07

'Lamë pas një situatë shumë të rëndë', flasin për herë të parë afganët e strehuar në Shqipëri

Qytet Studenti është populluar me 154 shtetas afganë, të cilët mbërritën në vendin tonë mëngjesin e kësaj të shtune. Ato janë vendosur në godinat 11-12 dhe kanë afër mensën dhe qendrën shëndetësore.

Një familje afganësh ka folur për herë të parë për “Top Channel”, duke treguar si ndihen në Shqipëri. Rashid Ahmad Azim dhe bashkëshortja e tij janë shprehur me mirënjohje për Shqipërinë, teksa kanë treguar se janë larguar nga Afganistani për të rritur të lirë vajzën e tyre.

"Ne sot jemi të relaksuar. Faleminderit Shqipërisë për koordinimin dhe ndihmën që ne të jemi gjallë. Unë në Afganistan kam punuar ti teknolog ushqimesh për një kompani që prodhonte ujë mineral. Lamë pas një situatë shumë të rëndë. Nëna ime dhe vëllezërit janë ende atje. Mbrëmë ne mbërritëm këtu dhe mendja ime nuk ishte e qetë. Se çfarë do të bëjmë për të ardhmen do të vendosim në vazhdim nëse do të qëndrojmë këtu apo do të dalim nga Shqipëria”, është shprehur Rashid Ahmad Azim.

“Unë jam e gëzuar për veten time dhe familjen që erdhëm këtu por më mungojnë prindërit dhe atdheu im. Ishte e vështirë për ne ta linim Afganistanin, të linim atje familjet dhe prindërit në atë situatë. Nuk e di çfarë do të na ndodhte nëse vijonim se jetuari atje. Isha e vogël kur prindërit më thoshin se Talebanët nuk ishin njerëz të mirë dhe nuk na lejonin ne vajzave të shkonim në shkollë dhe gratë të punësoheshin. E lamë Afganistanin pasi duam që vajza jonë të rritet e lirë. Të studiojë e të ketë një jetë të mirë. Jo si jeta jonë. Ne jemi këtu vetëm për vajzën. Jemi të kënaqur me akomodimin dhe çfarë na është ofruar këtu”, ka treguar bashkëshortja e tij.